Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, duke komentuar kabinetin qeveritar të Edi Ramës, ka thënë se kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish.
Sipas tij, në kabinetin qeveritar nuk ka asgjë të re, por ka vazhdim dhe thellim të së keqes.
“Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin. Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse.
Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish. Kush mendoi se “takimet me popullin” dhe ballafaqimi me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Edi Ramën të reflektojë, sot kuptoi që kjo qeveri nuk do jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do punojë kurrë për popullin”, thuhet në deklaratën e Bashës.
Ai tha se opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë.