Në një dalje për mediat pas publikimit të dëshmisë së Jetmir Olldashit, gazetari që ka bërë intervistën me Albert Veliun, kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi Ramën se po bëhet palë me krimin.
Sipas Bashës dëshmia e Jetmir Olldashit është e vërteta tronditëse dhe jo mashtrimet e Ramës.
“Kjo është e vërteta jo gënjeshtra e Xhafës dhe mashtrimet kriminale të Edi Ramës. Ai gënjeu dje se e ka bërë në Surrel ekspertizën dhe i paska dalë fallso, por kur u pyet se ku e ka bërë heshti. A do të mbulojë veprën kriminale që është denoncuar”
“Agron Xhafaj vijon të jetë bosi i drogës në Vlorë, prandaj ai u dërgua me urgjencë në Itali që Arta Marku të thotë ne nuk e kapim dot. Vetë Xhafaj ka mbuluar veprën kriminale të vëllait të vet përmes ndryshimit të ligjit për ekstradimet. Rama dhe Xhafaj janë të dyshuar për mbulimin e veprimtarisë kriminale të Agron Xhafës. Xhafa vijon të jetën në detyrë për të vazhduar manipulimin, për të shkatërruar provat, për të intimiduar”, tha Basha.
Në fund ai ftoi të gjithë Shqiptarët që të shtunën më 26 maj të ngrihen në protestë për të rrëzuar qeverinë, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të rrëzuar atë që ai e quan drejtësi e kapur nga Edi Rama.