“Basha refuzon takimin me Romana Vlahutinin”

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 14:14 | Nga

Pas vizitës së ambasadorit amerikan, Donald Lu në zyrën e Lulzim Bashës, në selinë blu pritet të mbërrijnë edhe ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Greqisë do të jenë në mesin e pjesëmarrësve, raporton Politiko.al. Takimi pritet të zhvillohet rreth orës 16:30.

Burime nga PD, bëjnë të ditur për Politiko.al se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin nuk do të jetë pjesë e takimit. Nuk është hera e parë që Basha nuk preferon praninë e Vlahutin në zyrën e tij, madje në disa vizita të rëndësishme nga zyrtarët e Brukselit, kryetari i PD-së ka zhvilluar bisedime pa praninë e ambasadores.

Demokratët e akuzojnë Vlahutin si tërësisht në krah të qeverisë së kryeministrit Edi Rama në raportimet që bën në Bruksel për situatën në Shqipëri, veçanërisht në problemin e kanabisit.

Më herët ishte ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, që kërkoi një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, i cili e priti në zyrën e tij. Takimi zgjati rreth 70 minuta dhe u zhvillua dy ditë pas protestës së opozitës para Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme vetëm me votat e mazhorancës. Qëndrimet e Ambasadës së SHBA-së sollën përplasje me Partinë Demokratike.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme