Vetëm pak orë para protestës së opozitës në Tiranë, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen sot para Kryeministrisë.
Në një postim në Facebook tha se dërgimi i kësaj beteje drejt fitores është investimi më krenar për të ardhmen e fëmijëve.
“Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria për ta çuar këtë betejë drejt fitores së sigurt, është investimi më krenar për fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe të çdo shqiptari.
Të rinj e të reja, studentë dhe profesionistë, pedagogë, artistë, intelektualë, mjekë infermierë dhe mësues, sipërmarrës të ndershëm dhe fermerë, pensionistë dhe të papunë, familjarë, prindër dhe bij e bija të shqiptarëve, mirësevini sonte në bashkimin popullor dhe qytetar në orën 19 në Tiranë. Asnjë hap pas,”-shkroi Basha.
Protesta do mbahet në orën 19:00 para Kryeministrisë dhe rreth 1300-1500 efektivë policie janë vënë në gatishmëri.
Efektivët do pozicionohen tek Kryeministria, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Kryesia e Kuvendit.