Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot delegacionin e drejtuesve të lartë të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, kryesuar nga ambasadori Peter Teljer dhe e njohu atë me problemet e mëdha të zgjedhjeve, sipas tij, dhe me faktin se, siç tha Basha, procesi i 25 qershorit, jo vetëm nuk e shëroi plagën e zgjedhjeve, por përkundrazi e thelloi dhe ekspozoi më shumë atë.
Basha theksoi se problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale, shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit, raporton Tch.
“Përveç angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore. Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të veçantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare”, vuri në pah Basha.
Basha i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit një triumf të paligjshmërisë.
“Vetëm Partia Demokratike konkurroi me një program, dhe nuk u përlye në shitblerje votash dhe angazhim bandash kriminale”, tha më tej Basha.
Anëtarë të partisë, të pranishëm në takim, sollën shembuj konkretë të konstatimit dhe të hapave ligjorë që kishin ndërmarrë në Elbasan dhe në Durrës në rastet e kapura të blerjes së votës, hapa që nuk sollën asnjë rezultat, pasi në rastin e parë policia nuk ndërmori asnjë veprim dhe në rastin e dytë, banditët e detyruan të tërhiqej qytetarin që ishte gati të dëshmonte.
“Këto nuk ishin zgjedhje demokratike”, tha Lulzim Basha, “por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri”.
Basha theksoi se një qëndrim realist mbi problemet e rënda në këtë proces, në veçanti nga ana e OSBE-ODIHR, do të ndihmonte Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, mbështetet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.