Bashkatdhetari Ahmet Haliti i cili jeton e punon në Gjermani ka sjellë sot një autoambulancë të re për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Ai tregon se atje punon për rregullimin e këtyre automjeteve, ndërkaq me financat e tij dhe vullnetin për të bërë mirë, është angazhuar dhe e ka blerë këtë autoambulancë e cila ka një kosto rreth 10 mijë euro.
Thotë se nuk din shumë për kushtet e funksionimit të shëndetësisë këtu , por e ka parë shumë të nevojshme që pajisjet moderne të sillen në Ferizaj , pasi që janë faktor kyç në shpëtimin e jetës së njerëzve kur kanë ndonjë rast emergjent.
“Unë punoj qe një kohë të gjatë atje , ka 26 vjet dhe kam krijuar lidhje të mira , prandaj më është dhënë mundësia dhe e kam sjellë veturën për vendlindjen. Kur ke mundësi pse mos me ba mirë për vendin tënd. Krejt ka qenë iniciativë e imja dhe vet e kam sjellë edhe prej Gjermanisë” tha donatori Haliti.
Ndërkaq, drejtues të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj kanë mirëpritur autoambulancën e re duke pasur parasysh planet për zgjerim e modernizim të shërbimeve emergjente edhe ne teren.
Asllan Bajrami ushtrues detyre i drejtorit të QKMF në Ferizaj pohon se tani e tutje do të jetë me lehtë qasja deri tek rastet emergjente.
Me ardhjen e autoambulancës së re nga Gjermani janë bërë 5 autoambulanca dhe mbulojnë shërbimet mjekësore në Ferizaj , por edhe më tutje thuhet se nuk mund të mbulohen të gjitha nevojat.
Me këtë rast është shfaqur edhe iniciativa për ndihmë me barna, por u theksuan vështëristë që transportimi i tyre duhet të bëhet me vetura që rregullojnë temperaturën në bazë të ligjeve të Bashkimit Evropian. Por u tha se angazhimi nuk do të mungojë në mënyrë që pajisjet moderne e barnat e nevojshme të sillen sa më shpesh në qendrat e këtushme mjekësore.