Bashkatdhetari nga Gjermania: Për 30 orë udhëtim shoferët e autobusit bëjnë pushime të shkurtra

Prishtinë | 26 Kor 2021 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Aksidenti që ka ndodhur të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan mbi 40 të tjerë ka tronditur të gjithë Kosovën dhe më gjerë.

E eksperiencën e udhëtimit me autobus në distanca të gjata e ka treguar edhe bashkatdhetari nga Gjermania Liridon Kastrati.

Kastrati tha në Info Magazine në Klan Kosova se ajo çka ka vërejtur gjatë udhëtimeve tek shoferët është se ata nuk bëjnë pushime të nevojshme.

“Ajo se çfarë e kam vërejtur unë është se shoferët nuk bëjnë pushime. Ata e marrin me aq nxitim sa që vozisin katër orë apo pesë orë pandërprere. Dhe kur në autobus janë 50 apo 60 vetë ndoshta nevojitet një pushim pak më i shpeshtë”.

Ai theksoi se kur ka udhëtuar nga Gjermania për në Kosovë zakonisht në autobus kanë qenë dy shoferë.

Liridon Kastrati shtoi se për 30 orë udhëtim ata nuk i bëjnë më shumë se katër ose pesë pushime.

“Në 24 orë deri në 30 orë udhëtim i bëjnë katër pushime ose pesë duke mos i llogaritur kufijtë sepse aty i hapin dyërt dhe mund të lëvizin. Besoj që është një lodhje edhe për pasagjerët edhe për shoferët”.

“Unë e kam pasur rastin të udhëtoj nga Frankfurti në Pejë edhe aty prapë kanë qenë dy shoferë. Zakonisht kur niset nga Frankfurti e marrim rrugën Mannheim, Stuttgart, Augsburg, Munchen, në një kohë pasdite e cila është e stërngarkuar ku humbin shumë kohë shoferët që diku tetë orë apo 10 orë i kanë vetëm nëpër Gjermani dhe pastaj tutje Slloveni, Kroaci e deri tek ky vendi ku ka ndodhur ngjarja rruga mund të zgjasë deri në 10 orë”.

Ai tani ka filluar të punojë edhe vet si shofer i autobusit në linjën Pejë-Nurnberg.

Derisa thotë se ngasja e këtij mjeti të rëndë është goxha me përgjegjësi.

“Edhe personalisht tash voziti në linjën Pejë-Nurnberg dhe besoj që është tepër vështirë për ta kaluar këtë rrugë pa pushime. Duke e pasur parasysh se autobusi ka një përgjegjësi të madhe, ka kolona më shumë si dhe ka një shpejtësi të vogël të lëvizjes. Më duket se kjo lëviz me vetëm 100 km/h dhe kjo e bën punën edhe më të rrezikshme”.

Të ngjashme