Bartja e maskës, respektimi i distancës dhe higjiena. Mbase kjo është fraza më e shpeshtë e thënë dhe më e dëgjuara për këtë vit. Por që nuk ka shpresë, që kjo frazë të marr fund po këtë vit. Kjo për faktin që ende nuk ka ndonjë vaksinë apo kurë për virusin e ri. Kujdesi po vazhdon të konsiderohet si arma e vetme për ta luftuar koronavirusin dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
Edhe pse disa masa janë zbutur për qytetarët, disa të tjera janë lehtësuar për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe atyre kulturore, kjo nuk do të thotë që pandemia COVID-19 ka përfunduar në Kosovë. Ani se, ka qetësim të situatës epidemiologjike në vend dhe rënie të numrave prej 44%, relaksimi i qytetarëve nuk duhet të ndodhë. Kjo ngase Organizata Botërore e Shëndetësisë alarmon se shtetet e prekura përsëri mund të goditen nga një valë e re.
Por pse institucionet kosovare duhet të tregohen më efikase dhe të përgjegjshme në këtë “luftë”?
Ndonëse fushatat vetëdijësuese për parandalim nuk munguan qysh nga paraqitja e dy rasteve të para me koronavirus me 13 mars, muaj më vonë institucionet e patën tejet të vështirë të punojnë në këtë segment. Kjo, ngase kapacitetet spitalore u stërmbushën gjatë muajve të verës dhe fokusi padyshim kaloi te trajtimi i pacientëve të infektuar. Përveç numrit të kufizuar të shtretërve, mungesa e furnizimit me oksigjen u bë një problematikë tjetër si dhe mungesa e stafit shëndetësor. Njëherësh kjo situatë shpërfaqi të gjitha mangësitë e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe nevojat e profesionistëve shëndetësor për këtë front. Megjithatë sfidat si këto nuk përfundojnë më kaq.
Ekspertët shëndetësor të vendit bëjnë thirrje për kujdes të shtuar meqë ardhja e vjeshtës dhe dimrit paraqet edhe aktivizimin e virozave dhe gripit sezonal. Ku kjo e fundit së bashku me pandeminë Covid 19, do të prodhojë dy armiq që kërcënojnë shëndetin publik por edhe sfidojnë institucionet shëndetësore. Qytetarët tani do të bashkëjetojnë mes pandemisë dhe gripit sezonal.
Por në këtë mes ka diçka të mirë. Masat mbrojtëse për Covid 19 janë kontribuuese edhe në mbrojtjen e gripit sezonal. Veç se koronavirusi vret më shumë. E tashmë kjo dihet, të paktën kështu tregojnë statistikat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që deri në fund të muajit shtator si pasojë e infeksionit SarsCov2 kanë vdekur 625 persona nga 15.620 të tillë që janë konfirmuar nga IKSHPK me këtë virus. Deri në fund të shtatorit janë 1,016,419 persona në gjithë globin që nuk e kanë mposhtur këtë betejë.
E vetmja alternativë sipas profesionistëve të shëndetit publik që vendi të mos pësojë në skenarin më të keq ashtu siç ndodhi gjatë verës, është marrja e përgjegjësisë nga çdo hallkë zingjirore, përshirë këtu qytetarët, institucionet dhe të ngjashme. Veç kësaj, atribut tejet i rëndësishëm dhe ndihmues që kapacitetet shëndetësore të mos vijnë pranë kolapsit është edhe rritja e testimeve.
Edhe shërbimet spitalore, me rritje të kapaciteteve si të shtretërve, atë të furnizimit me oksigjen janë tejet vitale për përballjen e ndonjë fluksi të mundshëm me pacientët e infektuar por edhe atyre që mund të ju rëndohet gjendja shëndetësore nga gripi sezonal.
E maratona e pandemisë ka ndikuar që shërbimet mjekësore jo COVID të mos ofrohen një kohë për pacientët me nevoja të tjera mjekësore. Pikërisht për këto halle edhe janë deponuar 79 ankesa tek shoqata për të drejtat e pacientëve përgjatë 3 muajve paraprak. Në fakt shërbimet shëndetësore janë rikthyer para pak ditësh me vendimin e fundit të qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë. E kjo është edhe njëra nga brengat e shoqatës së pacientëve ku zotohen se punën prej monitoruesit do ta kryejnë më së miri duke ju dal në ndihmë pacientëve të cilët mund të mos marrin trajtim adekuat gjatë kësaj periudhe. Kjo për faktin se ngjashmëritë midis gripit dhe koronavirusit janë goxha të përafërta, veç se mënyra për t’i larguar dilemat e diagnostikimit mbetet testimi. Padyshim se imunizimi i popullatës për grip sezonal është njëra prej pikave më të rëndësishme në këtë periudhë kohore me theks të veçantë për grup-moshat e rrezikuara që kanë edhe sëmundje shoqëruese.
Përveç gupeve të rrezikuara, mikrobiologët rekomandojnë që edhe personeli shëndetësor të imunizohet në mënyrë që resurset si këto mos të mungojnë në luftën e pandemisë dhe në ofrimin e shërbimeve të tjera. Mirëpo ende nuk janë siguruar 500 mijë doza për vaksinën e gripit sezonalë ashtu siç kishte premtuar qeveria. Sipas profesionistëve shëndetësor e udhës do të ishte që ky proces të nis sa më parë meqë jemi futur në vjeshtë. Faktorë tjerë kërcënues për rritjen e rasteve të reja janë edhe hapja e shkollave, qarkullimi më i madh i qytetarëve dhe funksionimi i gastronomisë në ambiente të mbyllura. Të paktën kjo pandemi duhet të shërbejë si leksion për dikasteret gjegjëse që të përforcojnë dhe investojnë në sistemin shëndetësor dhe në shëndetin publik.
Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, vetëm panelistët dhe moderatori/ja janë pjesëmarrës fizikisht në Dit’ e Nat’, ndërkaq Salloni është transmetuar direkt në rrjete sociale nga ku edhe janë kyçur të interesuarit/at.
(Ky sallon është mbështetur nga Friedrich-Ebert-Stiftung)