Bashkëlojtari i Ronaldos: Cristiano do të kthehet në Real Madrid, sepse e dashuron atë klub

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo ia ka lënë vetes derën hapur për t’u kthyer në Real Madrid, klubin të cilin shihet qartë se e dashuron, sipas bashkëlojtarit të vet në Kombëtaren e Portugalisë, Jose Fonte.

Mediat italiane raportuan së fundmi se Juventusi është i gatshëm ta lërë Ronaldon të largohet për t’iu ribashkuar Real Madridit për më pak se 50 milionë euro, për shkak të barrës financiare që pandemia koronavirus ia ka shkaktuar kampionit italian.

Ronaldo i kaloi nëntë vjet në kryeqytetin spanjoll, duke i ndihmuar Madridit t’i fitojë katër trofe në Ligën e Kampionëve dhe dy tituj në La Liga. Gjatë asaj kohe ai u bë golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 450 gola.

“Unë e di që ai e dashuron Madridin, kjo është e sigurt”, tha Fonte, i cili bashkë me Ronaldon i ndihmoi Portugalisë ta fitojë Kampionatin Evropian 2016.

“Është e qartë se ai e dashuron klubin, i cili është ndër klubet më të mëdha në botë, nëse jo më i madhi”, vazhdoi ai.

“Ai ka lënë shumë, shumë miq atje dhe gjithmonë e ka lënë hapur derën e rikthimit. Prandaj nuk habitem nëse ai kthehet në Real Madrid”, shtoi ai.

Të ngjashme