Zyrtarja e Aleancës Kosova e Re, Rejhan Vuniqi, i ka reaguar ashpër Mimoza Kusari-Lilës, pasi kjo e fundit dha një deklaratë ku mohonte një koalicion të arritur në mes të PAN-it dhe AKR-së.
Sekretarja organizative e AKR-së ia ka kujtuar Kusarit se nuk ka të drejtë të flasë në emër të partisë, pasi e njëjta nuk është më pjesë e AKR-së.
“Po harron zj. Kusari që më nuk është pjesë e AKR dhe AKR ka një zëdhënëse të veten dhe ne nuk kemi nevojë që dikush nga ndonjë parti tjetër të flas ne emrin e partisë tonë. AKR qëndron prapa deklaratave të saja të dhëna ditëve të fundit, qoftë nëpërmjet presidentit të partisë apo edhe strukturave të veta”, ka shkruar Vuniqi në Facebook.
Ndërkaq, të hënë mbrëma, themeluesja e Alternativës Kusari – Lila tha se lajmi rreth një marrëveshjeje ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së është i rremë.
Kusari në mars të 2016-së e kishte konfirmuar se nuk është më pjesë e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Pacolli dhe Kusari kishin drejtuar akuza të ashpra ndaj njëri tjetrit, derisa sot janë bërë përsëri bashkë në koalicionin e arritur parazgjedhor në mes të LDK-së, AKR-së e Alternativës.