Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Bahri Hyseni, një prokuror nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Drejtori i Sekretariatit të KPK-së janë duke qëndruar për vizitë në institucionet e drejtësisë së Irlandës Veriore.
Kjo vizitë është realizuar në kuadër të projektit të BE-së “Mbështetje e mëtejshme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, njofton Klan Kosova.
Më këtë rast në takimet e zhvilluara të kreut të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe zyrtarëve të lartë të institucioneve të drejtësisë së Irlandës së Veriut është vënë në pah mbështetja dhe ekspertiza për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë penale në Kosovë, me ç’rast nikoqirët kanë informuar përfaqësuesit kosovarë të sistemit prokurorial se Irlanda Veriore ka një strukturë unike mbikëqyrëse në fushën e krimit të organizuar, por edhe të rikthimit të pasurisë kriminale, i cili bëhet me anë të Task Forcës së Krimit të Organizuar (TFKO).
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, duke falënderuar zyrtarët e lartë mikpritës, ka vlerësuar lart përvojës së Irlandës së Veriut, e cila përmban njohuri praktike të të mësuarit se si Task Forca e krimit të organizuar krijon, zbaton dhe vlerëson strategjinë dhe planin e veprimit të krimit të organizuar.
Përfaqësuesit e sistemit prokurorial janë njohur në vazhdim të vizitës me procesin e hartimit të vlerësimit të kërcënimit, duke përdorur vlerësimin e kërcënimit për të zhvilluar një strategji kombëtare të qartë dhe koncize, si dhe për të zhvilluar një plan veprimi funksional, specifik, të matshëm dhe të arritshëm, në mënyrë që të arrihet avancimi i mëtejmë i llogaridhënies së personave përgjegjës për zbatimin e këtij procesi.
Në këtë kontekst është diskutuar një përvojë e rëndësishme funksionale me përfaqësuesit e Task Forcës së Krimit të Organizuar (TFKO) për përdorimin e pasurive të rikthyera kriminale në dobi të komunitetit, duke mësuar rreth funksionimit të skemës së komunitetit të rikthimit të pasurive, e cila mund të përshtatet për implementim.
Aktivitetet e tjera zyrtare gjatë vizitës pesëditore në Irlandën e Veriut, në të cilat janë pjesëmarrës edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë, do të mbahen në Degën e Krimit të Organizuar dhe Task Forcën e Krimit Paramilitar dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit, Rikthimit Civil dhe Ekipit të Taksave, njofton Klan Kosova.