Me propozimin e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, Kuvendi i Komunës së Klinës, sot, unanimisht ka votuar për ndarjen e titullit “ Nderi i Qytetit” ish- Kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci. Propozimi i kryetarit Bashota është mbështetur nga të gjithë anëtarët e subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Komunës së Klinës.
“Në përvjetorin e vrasjes së ish- Kryetarit të Klinës, pedagogut, veprimtarit dhe atdhetarit të shquar, Ismet Rraci, propozoi që ai të shpallet ‘Nderi i Qytetit’, për kontributin e dhënë jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe për ngritjen e kapaciteteve demokratike e shtetformuese”, ka propozuar Bashota.
Ish- Kryetari i Klinës, Ismet Rraci, emrin e të cilit e mban shkolla më e madhe në Komunën e Klinës, në të cilin me vite kishte punuar Ismeti, është vrarë më 23 prill 2001.
Akademia përkujtimore dhe aktivitetet tjera në 16- vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit do të mbahen nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota.