Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit në Ligën e Femrave të basketbollit do të zhvillohet të dielën, ka njoftuar Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Kjo ndeshje i takon xhiros së gjashtë dhe luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë prej orës 17:00. Bashkimi është kampion në fuqi derisa Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës.
Këto dy ekipe janë përballur edhe në ndeshjen e Superkupës në start të këtij edicioni, të cilën e ka fituar Prishtina. Bashkimi dhe Penza i prijnë tabelës me pikë maksimale pas pesë fitoreve në po aq ndeshje të zhvilluara derisa Prishtina ka shtatë pikë dhe një ndeshje më pak.
Prishtina në duelin kundër Bashkimit do të futet pas humbjes nga Penza që e pësoi në xhiron e pestë në udhëtim. Bashkimi në radhët e veta ka dy lojtare të huaja, amerikanet Danisha Shaw e Mari Stewart.