Basketbollistët amerikanë me mision të vështirë në Kinë

Prishtinë | 31 Gus 2019 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e SHBA-së në basketboll nuk do ta ketë aspak lehtë për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës, në botërorin “Kina 2019”, që nis të shtunën.

Ky mision bëhet i vështirë për amerikanët pasi iu mungojnë lojtarët kryesor, ndërsa përfaqësuesja ka synim për të siguruar titullin e gjashtë të botës, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

Anthony Davis (LA Lakers), James Harden (Houston Rockets) e Damnian Lillard (Portland) janë disa nga yjet që janë tërhequr në momentin e fundit nga pjesëmarrja në botëror.

Në fakt ata janë në mesin e 17 basketbollistëve me nam në NBA, që nuk kanë dashur të paraqiteshin në këtë ngjarje, në mënyrë që të jenë plotësisht të gatshëm për edicionin e ri në kampionatin e tyre.

Këto tërheqje kanë detyruar trajnerin Gregg Popovich që të krijojë një ekip më solid, pa ndonjë yll të madh. Popovich ka fituar pesë tituj kampioni në NBA me ekipin e San Antonio Spurs, por nuk është i sigurt që do të shtojë edhe një titull bote në listën e sukseseve të tij. Në ndeshjen kontrolluese në prag të botërorit, SHBA-ja pësoi humbje nga Australia me rezultat 98:94.

Botërori “Kina 2019” do të mbahet deri më 15 shtator, kurse konkurrencë të madhe amerikanëve përveç Australisë do t’i bëjnë edhe Serbia, Spanja, Franca e Greqia. Kjo e fundit në këtë botëror do të udhëhiqet nga lojtari MVP i NBA-së, Giannis Antetokounmpo.

32 skuadra të shpërndara në tetë grupe me nga katër ekipe do të kërkojnë titullin e kampionit.

Të ngjashme