Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kryer bastisje në lokacionin e një të dyshuari për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, bastisja është kryer në Zubin Potok, pas urdhrit të Gjykatës Themelore, si pjesë e hetimeve lidhur me rastin ku dy persona, M.J. dhe M.B., dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullësisë civile”.
“Policia e Kosovës në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vazhduar hetimet intensive lidhur me arrestimin e datës 28.07.2026, të dy personave të dyshuar M.J. dhe M.B, për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullësisë civile’ të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), të ndodhur në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.
Sipas organeve të hetuesisë, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që lidhen me aktivitetin e të dyshuarit gjatë periudhës së luftës.
“Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish- Armatën Jugosllave”, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë Speciale.
Rasti, sipas komunikatës, po vazhdon të trajtohet nga ekipet relevante policore, ndërsa Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë për trajtimin e rasteve penale, përfshirë ato që lidhen me krimet e luftës.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me organet e drejtësisë, të trajtoj të gjitha rastet penale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës”, përfundon komunikata.