Policia ka bastisur shtëpinë e sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqajt. Këtë e ka njoftuar vet Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media.
“Sot, në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, në Beleg të Deçanit. Kjo është hakmarrja e krerëve kriminelë të Policisë, pas një serie konferencash publike të Molliqajt ku u kritikua Policia e Kosovës për montime politike kundër aktivistëve të Vetëvendosjes dhe për kapje nga klani pronto”.
“Urdhri i dhënë nga lartë për këtë bastisje, e rikonfirmon faktin që Policia e Kosovës është shndërruar në institucion të mbrojtjes së krimit të klanit pronto dhe luftues të kundërshtarëve politikë të këtij klani. Ky lloj instrumentalizimi i policisë dhe shndërrimi i kësaj të fundit në njësi paramilitare në funksion të disa individëve në pushtet, është shenjë e qartë e autoritarizmit që po instalohet në Kosovë”.
“Shembuj të tillë po na kthejnë në vitet e paraluftës kur funksioni i policisë nuk ishte siguria e qytetarëve por shtypja e tyre. Klani pronto, përmes Policisë së Kosovës, po terrorizon familjet e aktivistëve të Vetëvendosjes dhe po synon të përhapë panik në popull, në një moment kur zemërimi qytetar me këtë qeverisje është më i madh se asnjëherë më parë”.
Lëvizja Vetëvendosje nuk do të pranojë asnjëherë të zmbrapset para këtyre akteve paramilitare të krerëve të Policisë së Kosovës. Këto akte na e rikonfirmojnë se lufta kundër krimit e korrupsionit në Kosovë do të mund të bëhet vetëm përmes rezistencës qytetare dhe asnjëherë përmes këtij sistemi të kapur të drejtësisë. Ne ftojmë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që të distancohen nga udhëheqja kriminale e këtij institucioni, dhe të angazhohen në mbrojtje të popullit, e jo kundër tij”, thuhet në njoftimin.