Në Kuçovë, pranë bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri, ndodhet baza që është ndërtuar fillimisht në komunizëm në vitin 1952 me punë vullnetare, ndërsa që prej janarit të vitit 2022 këtu ka nisur puna ku janë investuar rreth 50 mln euro për të krijuar një infrastrukturë moderne dhe me kushte bashkëkohore për të mundësuar dislokimin e mjeteve ajrore të NATO-s të cilat pritet të kryejnë operacione stërvitore apo ta përdorin për nevoja të tjera të Aleancës.
“Për bazën e Kuçovës kjo është një gjë e mirë se vihet në lëvizje. Është një bazë që do krijojë mundësi dhe për aftësitë mbrojtëse tonat sepse është e përbashkët po ashtu edhe për ekonominë e qytetit sepse do të ketë punësim. Ajo është një bazë logjistike që do jetë gjithmonë në zhvillim. Eshtë në një pozicion jazhtzakonisht të mirë jo vetëm për vendin tonë por për gjithë rajonin”, tha Viktor Vangjeli-ish pilot në regimentin Kuçovë, për Top Channel.
Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua t’i shërbente Traktatit të Varshavës ku Shqipëria ishte anëtare në 1952, por tani ajo do të jetë në dispozicion të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur njerezimi dhe që i shërben paqes dhe vlerave të demokracisë perendimore.
“Zona është e hapur komplet nga të gjitha drejtimet që lejon edhe kur bie shi i rëndë dhe gjithë të tjerat avionët të ulen pa pasur problem siç kanë në aeroportet e tjera erë të fortë siç ka Gjadri apo mjegull siç ka Rinasi. Pra është zgjedhur jo vetëm strategjikisht sepse aty ka qenë një aerodrome por edhe për kushtet e fluturimit”, tha Astrit Jaupi-ish pilot.
Nga kjo bazë pritet që të bëhet edhe kontrolli hapsirës ajrore shqiptare si dhe të ndërtohet qendra e komandimit të dronëve të armatosur Bajraktar TB-2 që priten t’i bashkohem flotës së ushtrisë shqiptare.
Puna në bazën ajrore të Kuçovës është ende duke vijuar megjithse inagurimi është parashikuar të ndodhë në 4 mars. Puna vijon për rindërtimin e pistës dhe të kullës së kontrollit ndërkohë që janë ndërtuar depot e armatimit dhe të karburantit, vendparkimet e avionëve si dhe stacionet e avarive dhe zjarreve.