BB-ja po na e prishë tripin!

Prishtinë | 29 Sht 2016 | 09:25 | Nga

Sa larg jemi, e sa keq jemi ! Ky do të ishte përkufizimi më i mirë për gjendjen ekonomike të vendit. Madje, as në vitet e ardhshme nuk shihet zgjidhja- as për zhvillim, punësim, apo për zbutjen e varfërisë.

“Qëndro nënë, mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”, ishte kënga që dikur na jepte shpresën se do të ndodhë një fuqi e madhe dhe do të shpëtoj Kosovën e shqiptarët nga katrahura, në të cilën ndodheshin në fund të shekullit të kaluar. Sot , po këndohet gati e njëjta këngë, por me aktorë të tjerë.

Djemtë kanë shkuar në Amerikë, një armatë udhëheqësish nga niveli politik qendror e lokal, kryesisht për të parë njëri-tjetrit, për të treguar mrekullitë që po bëjnë, të mashtrojnë diasporën duke i thënë se sa vend i mirë është Kosova për investime.

Por, edhe për të bërë ndonjë foto, të cilën “Facebook” na e përcjellin në anën tjetër të Atlantikut, për t’ia mbyllur sytë popullatës së mjerë, e cila paguan për kënaqësitë e tyre. Sipas fotove, duket se po kalojnë mirë. Po e shijojnë Amerikën, pa pasur shumë dert se çfarë po ndodhë në vendin e tyre, aty ku do të kthehen.

Tripi do t’iu prishet nëse në tavolinat e tyre të punës gjejnë raportin e Bankës Botërore për perspektivën ekonomike të shteteve të Evropës Juglindore, nëse e lexojnë atë. Madje, edhe nëse e kuptojnë.

Raporti është shqetësues. As që mund të paramendohet rritja ekonomike me normë dyshifrore, punësimi i 200 mijë vetave, investimi i miliardave të shumtë, apo një buxhet prej 2-3 miliardë eurosh, si na është premtuar.

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në rajon, dhe i tillë do të mbetet për shumë vite, për shkak të krizës politike, e shkaktuar pikërisht nga ata që kanë marrë votën dhe përgjegjësinë për ta nxjerrë këtë vend nga humnera.

Nuk mund të jetë ngushëllim se vjet norma e rritjes ekonomike ishte 3.9 për qind, apo tri herë më e lartë se parvjet, dhe se ishte më e larta në rajon. Kur kemi parasysh bazën e ulët të përllogaritjes, atëherë kjo rritje nuk mund të ketë im-pakt të madh te treguesit e tjerë, si po e zëmë te shkalla e punësimit, apo te niveli i varfërisë.

Por, ka edhe indikatorë të tjerë që na e prishin tripin. Po përmendim disa prej tyre. Sivjet GDP-ja për kokë banori në Kosovë do të jetë 3.6 mijë euro. Kjo është 3.2 herë më e ulët se në Shqipëri, pastaj krahasuar me Bosnjën – tri herë, me Maqedoninë- 3.7 herë, me Malin e Zi- katër herë dhe me Serbinë – 3.8 herë.

Një proporcion gati se i njëjtë do të mbete edhe në vitin 2018, kur kosovarët do të jenë më të “pasur” vetëm për 105 dollarë, krahasuar me vitin 2016. Ndërkaq, kjo hiq nuk bënë punë në raport me të tjerët, meqenëse ata po ecin, po ikin. Pra, sërish do të jemi populli më i varfër.

Bilanci tregtar i vendit do të vazhdoj të përkeqësohet. Deficiti nga 31.7 për qind e GDP-së do të rritet në 32.9 për qind. Përkeqësim do të ketë vetëm Shqipëria, ndërkaq shtet e tjera ngadalë do ta konsolidojnë këtë raport. Kjo në Kosovë do të ndodhë për shkak të rritjes së ndjeshme të importit, i cili nga 44.4 për qind të GDP-së do të marr 46.6 për qind të tij.

Ndërkaq, eksporti i mallrave mbetet i vogël, me 5.2 për qind të GDP-së, ndërsa pas dy vjetësh kjo pjesëmarrje do të rritet vetëm për 0.2 pikë të përqindjes.Kosova edhe më tutje do të mbetet furnizues i madh i shumë tregjeve me para.

Ndërkaq, paratë për të financuar konsumin vijnë nga sektori publik, përmes financimit të kërkesave sociale, si edhe nga remitancat. Shifrat që ofron BB-ja dëshmojnë se investimet në sektorin publik nuk do kenë ndikim serioz në rritjen ekonomike. Madje do të ketë një stagnim, meqenëse në mungesë të zhvillimit, pjesëmarrja e të hyrave në buxhet nga 26.9 për qind sa do të jetë sivjet, pas dy vitesh bie në 26.6 për qind, ndërkaq shpenzimet rriten nga 27.3 për qind , në 28.3 për qind. Këtu, rritja e shpenzimeve kapitale do të jetë shumë e lehtë vetëm 0.6 pikë të përqindjes, gati njësoj sikurse edhe rritja për përfituesit nga skemat sociale.

Dhe krejt në fund, shtrohet një pyetje – si do të jetoj kjo popullatë ? Përsëri duhet brohoritur: ”Rroftë diaspora ! “. Ndoshta edhe udhëtimi në Amerikë e ka pasur këtë qëllim. Që diasporës t’i hyhet në hatër, ashtu që të mos e zvogëloj shumën e parasë që dërgon në vendlindje. Së paku, që për interesat e kësaj kaste politike të financoj rehatinë sociale.

Kjo del qartë nga raporti, meqenëse vetëm në Kosovë pjesëmarrja e remitancave në GDP është me numër dyshifror dhe me tendencë të rritjes. Nga 13 për qind sa është sivjet në 14.3 për qind në vitin 2018. Ndërkaq, të gjitha shtetet e tjera nuk mbështet aq shumë në dërgesate diasporës, meqenëse financimin e konsumit e bëjnë nga mekanzimat e brendshëm, të cilët kryesisht bazohen në zhvillim.

Këtë situatë më rëndë do ta përjetoj popullata. Ajo nuk mund të gjej asnjë indikator që i jep shpresë se do të ketë një standard më të lartë dhe jetë me dinjitet. Shkalla e papunësisë mbetet më e larta në rajon dhe me tendencë të rritjes. Kjo del edhe nga statistikat zyrtare, të cilat i citon edhe BB-ja.

Ndonëse duhet thënë se ato nuk janë aq të besueshme, meqenëse shkalla reale e papunësisë është dukshëm më e madhe se 33 për qind, si tregojnë anketat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

BB-ja me këtë raport vërtetë duhet t’ua prishë tripin atyre që kanë marrë përgjegjësi për qeverisje me këtë vend. Jo vetëm këtyre aktual, por edhe të atyre të mëhershëm, meqenëse, shifra po tregojnë- nuk bënë asgjë për të mirën e përgjithshme, nuk brengosen pse po thellohet mjerimi dhe po treten shpresat. Kjo situatë do të vazhdoj edhe për shumë vite. Fatkeqësisht !

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme