Bashkimi Evropian tash e dy muaj është duke bërë presion ndaj qeverisë “Haradinaj” për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se Brukseli pret të hiqet taksa dhe të dyja vendet të angazhohen për vazhdimin e dialogut.
Për më shumë se dy muaj, prejse Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, Bashkimi Evropian (BE) nuk po ndalet së ushtruari presion ndaj Kosovës për heqjen e kësaj tarife. Por të njëjtën gjë BE-ja nuk po e praktikon edhe me Serbinë, e cila nuk po rresht së bëri luftë diplomatike ndaj shtetit të Kosovës.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Zërin” se qëndrimi i BE-së sa i takon taksës mbetet po ai që ka qenë, kundër masës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Sipas saj, BE-ja pret që Serbia e Kosova të angazhohen në procesin e dialogut, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Mirëpo Kocijançiq nuk është përgjigjur rreth pyetjes së parashtruar nga gazeta, nëse po bëhet presion edhe ndaj shtetit serb, kur kihet parasysh fakti që Serbia aktualisht është në ofensivë për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës dhe për pengim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ndërkohë procesi i bisedimeve me Serbinë po vazhdon të jetë i pezulluar, pasi Serbia tashmë ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në dialog deri në heqjen e tarifës. Por Qeveria e Kosovës, as pas presionit të ardhur nga ndërkombëtarët, nuk po zmbrapset nga vendimi i marrë më 21 nëntor 2018 për vendosjen e taksës në fjalë.