BE-ja ashpërson rregullat për eksportimin e vaksinave për Covid-19

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian e ashpërsoi mekanizmin për kontrollimin e eksportit të vaksinave të mërkurën për ta parandaluar atë që po e cilëson si qarkullim njëdrejtimësh të vaksinave jashtë bllokut.

Masa e re mund të prekë disa shtete si Britania e Madhe, e cila prodhon vetë një pjesë të vaksinave, por që nuk dërgon doza në Bashkimin Evropian, shkruan France24.

Rregullat e reja kanë për qëllim që tregtia me vaksina të bëhet në bazë proporcionale dhe me reciprocitet në mënyrë që shtetet tjera që prodhojnë vaksina të shesin në BE dhe që BE-ja të mos eksportojë shumë më shumë sesa importon, tha një zyrtar i BE-së.

Kjo normë do të shërbejë si themel për qeveritë e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të vendosur nëse do ta bllokojnë apo jo eksportimin e vaksinave.

Masa e re, për të cilën zyrtarët e BE-së thanë se mund t’i prekë prodhuesit “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, është e dizajnuar që ta shmangë mungesën e dozave në rajonet ku programi i vaksinimit është dëmtuar nga vonesat dhe problemet me furnizim.

Zyrtarët thanë se vaksinat e planifikuara për t’u dërguar jashtë bllokut mund të bllokohen, nëse shtetet që prodhojnë vaksina, si Britani dhe Shtetet e Bashkuara, nuk e lejojnë eksportin drejt BE-së. Ky vendim erdhi pasi një gjë të tillë e paralajmëroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme