Bashkimi Evropian e ka kërcënuar Republikën Serbe të Bosnjës me sanksione dhe pakësim të ndihmave, nëse udhëheqësit e saj vazhdojnë që të nxisin paralizë politike dhe përçarje në shtetin ballkanik.
“Nëse gjendja përkeqësohet edhe më tej, BE-ja zgjedh nga një pako e gjerë e mjeteve, përfshirë kornizën ekzistuese të sanksioneve të BE-së dhe rishikimin e asistencës së përgjithshme të Bashkimit Evropian”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Vërejtja e ashpër vjen në kohën kur kriza e zgjatur politike po thellohet shkaku i lëvizjeve për ndarje të Republikës Serbe, duke e ringjallur frikën se marrëveshja e paqes, që i dha fund luftës më 1995, mund të preket dhe mund ta rrezikojë stabilitetin rajonal.
Në veprimin e fundit provokues, Republika Serbe më 9 janar e festoi atë që udhëheqësit e saj e quajnë “ditë kombëtare”, por gjykata më e lartë e vendit e ka cilësuar jokushtetuese, shkruan Free Europe.
Kjo ditë e shënon datën e 9 janarit 1992, kur serbët e Bosnjës e kishin shpallur shtetin e vet brenda Bosnjës, duke nxitur një luftë të përgjakshme me mbi 100.000 të vrarë e miliona njerëz të pastrehë.
Lufta në Bosnjë përfundoi në vitin 1995 me Marrëveshjen e Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Sipas marrëveshjes, u krijuan dy entitete autonome, të cilat kanë institucione të përbashkëta: Republika Serbe dhe Federata Boshnjako-Kroate.