BE-ja kërkon strukturë efektive të koordinimit brenda institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ka mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm strategjik të Kosovës në rrugën evropiane dhe në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në takimin joformal të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së e Kosovës, i drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, që përfaqësoi Komisionin Evropian, u mirëprit rifillimi i dialogut dhe heqja e tarifës e reciprocitetit.

“Ata ranë dakord për nevojën urgjente për të përshpejtuar proceset e reformave, duke kërkuar përqëndrim të shtuar nga të gjithë akterët politikë dhe një strukturë efektive të koordinimit brenda institucioneve të Kosovës”, ka njoftuar kryeministria.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa vendimi mbi propozimin mbetet në shqyrtim në Këshill.

Bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për Dhomat e Specializuara, rreth së cilave u tha se pjesëmarrësit kishin vlerësuar bashkëpunimin e treguar të autoriteteve të Kosovës dhe të arrestuarit.

Ndër tjerash, ZKM njofton se u nënvizua rëndësia për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe se u vlerësua thelbësore që Kosova e Serbia të përparojnë në rrugën evropiane.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen dhe të zbatohen”.

Delegacioni i Kosovës në këtë takim u drejtua nga kryeministri Avdullah Hoti, me pjesëmarrës, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministrat, Meliza Haradinaj-Stublla, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Selim Selimi, Besian Mustafa dhe Vesel Krasniqi.

Të ngjashme