Bashkimi Evropian nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave, ka thënë shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Ky vendim i BE-së, që u tha se ishte unik, vjen pas mbajtjes së një samiti virtual të liderëve të vendeve të bllokut.
BE-ja ka thënë se do të vendosë sanksione të targetuara ndaj personave në Bjellorusi që janë përgjegjës për brutalitetin ndaj qytetarëve gjatë protestave paqësore në këtë vend si dhe për mashtrimet në procesin zgjedhor.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen ka thënë se këto sanksione do të drejtohen ndaj personave përgjegjës për dhunën dhe nuk janë kundër qytetarëve të këtij shteti.
Van der Leyen ka thënë se BE-ja është e impresionuar nga guximi që kanë dëshmuar qytetarët bjellorusë në kërkim të demokracisë dhe lirisë së shprehjes. Ajo ka paralajmëruar se mjetet që BE-ja ia kishte dedikuar autoriteteve bjelloruse, tashmë do të rialokohen për qytetarët e këtij vendi.
BE-ja do të ndajë 53 milionë euro për të mbështetur qytetarët e Bjellorusisë si dhe mediat dhe shoqërinë civile. Por, këto mjete do të jenë edhe ndihmë që ky bjellorusët të përballen me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
“Mesazhi ynë është i qartë: ndaleni dhunën, ne nuk tolerojmë dhunën e as pandëshkueshmërinë”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Michel, duke shtuar se BE-ja do ta përcjellë nga afër situatën në Bjellorusi.
Ndërkaq, duke folur rreth bisedës që ka pasur Michel më 18 gusht me presidentin rus, Vladimir Putin, ai ka thënë se kjo bisedë ka qenë e rëndësishme që të përcillet qëndrimi i BE-së, se për situatën në Bjellorusi, zgjidhja duhet të gjendet brenda shtetit dhe të mos ketë ndërhyrje nga jashtë.
Michele ka thënë se me Putinin janë pajtuar se në këto rrethana nuk duhet të ndërhyhet ushtarakisht.
Ndërkaq, e pyetur për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të reja në Bjellorusi, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen tha se kjo ju takon qytetarëve bjellorusë dhe nëse ata kërkojnë zgjedhje të reja, BE-ja do t’i mbështesë.
“U takon qytetarëve të Bjellorusisë që të vendosin për të ardhmen e shtetit të tyre”, u shpreh ai.
Takimi virtual, përmes video-lidhjes i Këshillit Evropian u zhvillua vetëm për të ndërmarrë masa ndaj Bjellorusisë për trazirat e fundit në këtë shtet dhe për të dëshmuar se BE-ja është e shqetësuar për situatën atje.