BE-ja pa datë për një takim Kurti-Vuçiq

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ende nuk ka bërë publike ndonjë datë për një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithëse, nuk dihet kur do të rikthehet dialogu, vizitat e ndërkombëtarëve në Kosovë do të shtohen ditëve në vazhdim. Njohësit e zhvillimeve politike thonë se këto intensifikime të vizitave, mund të çojnë përpara procesin e dialogut.

Në kohën kur është paralajmëruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të shkojnë drejt një epilogu, vizita të shumta të ndërmjetësve amerikanë e evropianë në Prishtinë e Beograd do të ndodhin ditëve në vazhdim.

Vendin të mërkurën do ta vizitojë edhe Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, derisa edhe emisarë të tjerë pritet ta bëjnë të njëjtën gjë.

Përderisa muaji mars është vlerësuar si afat për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje se kur pritet të ketë një takim ndërmjet liderëve të të dyja shteteve.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse, dhe kur është e përshtatshme”, tha Bashkimi Evropian.

Ditë më parë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ishte shprehur i çuditur se si ende BE-ja nuk ka caktuar një datë për takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, për çka sipas tij, ishin pajtuar që ato të jenë mujore.

Ndërkohë, sipas profesorit universitar, Arben Hajrullahu, vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë padyshim që do ta kenë efektin e tyre, derisa është shprehur skeptik për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

Derisa, sipas analistit, Seb Bytyçi këto vizita mund të shihen edhe si përgatitore për takimet mes palëve në procesin e dialogut.

Ditë më parë në Kosovë kishte qëndruar edhe i Dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, derisa vizita të zyrtarëve të lartë janë paralajmëruar edhe gjatë muajit janar.

Të ngjashme