Bashkimi Evropian insiston në zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në legjislaturën zgjedhore. Ambasadori David Geer e vlerëson nismën e grupeve të punës për diskutuar përsëri mbi ndryshimet e nevojshme në Kodin zgjedhor, të cilat sipas tij duhet të bëhen një kohë të konsiderueshme para zgjedhjeve. Ai kujtoj se Komisioni Evropian këtë kërkesë e ka bërë edhe në raportin e progresit në tetor të vitit të kaluar.
“Në të u nënvizua rëndësia e reformimit të Kodit zgjedhor në harmonizim me rekomandimet e ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias por është e rëndësishme që çfarëdo ndryshimi që të bëhet dhe që është në vijë me këto rregulla, duhet të bëhen brenda një kornize kohore. Tani e rëndësishme është që puna vazhdon dhe që ajo të realizohet në kohë, d.m.th. kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve. Nuk dua të shkoj më thellë por e di se grupet e punës punojnë. Standardi që ne kërkojmë është ai të cilin e ka vendosur ODIHR-ja dhe Komisioni i Venecias dhe kërkojmë implementimin e tyre”, tha David Geer, ambasador i BE-së.
Në raportin përfundimtar pas zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit të kaluar, ODIHR-ja kishte shtatë rekomandime prioritare. Sipas tyre:
– Kodi Zgjedhor duhet të harmonizohet si brendapërbrenda, ashtu edhe me ligjet e tjera përkatëse, me angazhimet e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Rishikimi duhet të bëhet në një procedurë publike dhe në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme.
– Mandati i anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet të përcaktohet qartë, si dhe të parashikohet procedurë e qartë dhe transparente të nominimit dhe emërimit të anëtarëve të KSHZ-së.
– Të rishikohen procedurat e regjistrimit të votuesve.
– Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror për Revizion duhet të pajisen me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
– Rregulloret për reklamat e paguara politike në media duhet të rishikohen, në mënyrë që të lejohet qasja e papenguar në media mbi baza jodiskriminuese.
– Të bëhet ndryshimi i procedurës për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor dhe uljen e varësisë së tij nga buxheti i shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes të transmetuesit publik.
– Të eliminohen kufizimet e panevojshme të së drejtës për të parashtruar kundërshtime dhe ankesa zgjedhore.
Në raportin e progresit të tetorit, Komisioni Evropian thekson nevojën e angazhimit të institucioneve, Ministrisë së Brendshme dhe KSHZ-së për përditësimin e listës zgjedhore. Kritikon ndryshimin e Kodit në ditën e fundit të shpërndarjes së Kuvendit ose pak javë para ditës së zgjedhjeve, gjë të cilën partitë në vend e kanë shndërruar në praktikë.