BE në Ballkan – Edhe një vit i humbur?

Prishtinë | 02 Jan 2019 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Para 15 vjetësh, gjashtë vendet e Ballkanit morën “premtimin e Selanikut” për një anëtarësim pa vonesa në BE. Por viti që shkoi solli një sërë pengesash në këtë drejtim.

Viti 2018 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën mund të quhet çdo gjë tjetër, por jo vit suksesi.

Shqipëria dhe Maqedonia arritën të jenë vende kandidate që Brukseli në qershor të vitit të ardhshëm të hapë negociatat e anëtarësimit, por se si do të jenë forcat politike në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve evropiane ose nëse do të ketë një shumicë për të hapur negociatat kjo nuk dihet.

Bosnja

Megjithë miliardat e BE-së, një ushtri të tërë diplomatësh dhe ekspertësh, Bosnje-Hercegovina ofron imazhin e një shteti të dështuar.

Për shkak se katolikët kroatë, 15% e popullsisë, ndjehen se janë mënjanuar në zgjedhjet e kaluara, ata bëjnë pakt me serbët ortodoksë të Milorad Dodikut.

Ai kërkon ta ndajë që sot pjesën serbe, me rreth 1 milionë banorë nga Bosnje-Hercegovina dhe t’i bashkohet “Republikës mëmë”, Serbisë.

Kjo bën që të mos dihet se kur do të përfundojë krijimi i qeverisë. Sepse nuk mund të funksionojë një pakt i tillë kundër vullnetit të myslimanëve boshnjakë, që përbëjnë, me rezultat të ngushtë, shumicën e popullsisë.

Maqedonia

Me pikëpyetje është po ashtu, nëse Maqedonia deri në atë kohë do të mund të ketë zgjidhur grindjen dhjetëra vjeçare me Greqinë për çështjen e emrit dhe të ketë marrë emrin e ri “Maqedonia Veriore”.

Në parlamentin grek një shumicë për këtë është edhe më e pasigurtë se në parlamentin maqedonas.

Kosova

Por më keq gjendja paraqitet në Kosovë.

Qeveria dhe opozita bllokojnë në parlament njëra-tjetrën, duke sjellë një gjendje të paralizës politike.

Misioni më i madh i BE-së për drejtësinë, EULEX-i, pas 10 vjetësh dhe disa aferash korrupsioni brenda radhëve të veta duket sikur është dorëzuar.

Popullsia shqiptare në shumicë, përkundër vullnetit të BE-së e dha sinjalin për krijimin e Ushtrisë dhe vendosi 100% taksë për mallrat nga fqinji i padashur, Serbia.

Dialogu i pasuksesshëm Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej vitesh tanimë është ndërprerë.

Shqipëria

Shqipëria që i ka dalë nami si “Kolumbia e Evropës”, ende nuk shënon suksese të ndjeshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër kultivimit të drogës.

Edhe reformat politike, si ristrukturimi i drejtësisë, kanë ecur ngadalë.

Mali i Zi

Në Malin e Zi negociatat e anëtarësimit nuk kanë ndryshuar asgjë në atë që Milo Gjukanoviq që në maj u zgjodh president i vendit, përkundër të gjitha rregullave demokratike mbetet në këtë minishtet etaloni i të gjitha gjërave.

Ai sundon prej 27 vjetësh e ndjehet ndërkohë kaq i fuqishëm, saqë në fund të nëntorit lejoi arrestimin e kreut të opozitës, Nebojsa Medojeviq, megjithëse ai zotëron imunitet si anëtar i Parlamentit.

Serbia

Në Serbi njeriu i fortë që sundon në vend e gjithçka është presidenti Aleksandar Vuçiq. Ai kontrollon parlamentin dhe drejtësinë, si mediat dhe policinë.

Pse ndikon kaq pak politika e BE-së në Ballkan?

“Cili është shkaku i dështimit të deritanishëm të BE në Ballkan”, pyet ekspertja Gudrun Steinacker.

Ajo ka qenë ambasadore në Shkup dhe Podgoricë dhe konsiderohet një nga njohëset më të mira të rajonit. Për herë të parë ka folur dikush nga qarqet e brendshme për deficitet e politikës së Ballkanit.

Steinacker kritikon veçanërisht strategjinë e re të BE për Ballkanin Perëndimor të paraqitur në shkurt të këtij viti. Aty “gjenden analiza, por jo receta të reja”, thotë ajo. Nga ana tjetër reflektohet shumë pak “në mënyrë vetëkritike se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet bërë”. Gudrun Steinacker shikon një gabim sistemik të BE-së në Ballkan. Përgjegjësi bëhet zbatues, sipas saj. “Të njëjtat qeveri, në masë të madhe me të njëjtët politikanë, që janë përgjegjës për gjendjen kritike do duhet tani të rregullojnë punët”.

Edhe ekspertë të tjerë në Ballkan arrijnë në të njëjtat përfundime: Ekonomisti amerikan me origjinë nga Beogradi, Branko Milanovic, drejtori i degës boshnjake të Transparency International, Srdjan Blagovcain e të tjerë theksojnë se në sistemet politike të 6 vendeve të Ballkanit bëhet fjalë për gjoja-demokraci, ku përmes manipulimeve masive, në krye del gjithmonë vetëm një parti.

Nga ana tjetër parti jodemokratike të prera për kryetarin e tyre e sigurojnë pushtetin përmes një sistemi klientelist. Në qendër të politikës nuk janë programe liberale dhe ideologji, në qendër është vjedhja dhe synimi që të mirat e siguruara të shpërndahen tek klanet e mbështetësve.

Ekspertët perëndimorë dhe vendas janë të mendimit, se kjo gjendje e vështirë mund të përmirësohet vetëm me tërheqjen e shoqërisë civile, mediave dhe organizatave jofitimprurëse. Sepse politikanët e gjithpushtetshëm do të bëjnë gjithçka për të ruajtur monopolin e pushtetit. Si pasojë, BE-së ata i provojnë se kanë vullnetin për gjoja reforma. Por rregulloret e ligjet më të mira nuk kanë asnjë efekt, nëse nuk praktikohen. Në të vërtetë bëhet gjithçka në Ballkan për të penguar modernizimin dhe progresin ashtu siç kuptohet në BE. Sepse një gjë e kanë të qartë të pushtetshmit në Ballkan: Nëse normat e BE vërtet vihen në jetë, ata e kanë të humbur pozitën./Deutsche Welle

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme