BE: S’do të vendosim sanksione ndaj zyrtarëve që cenojnë paqen në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian nuk do të veprojë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të sanksionuar zyrtarët të cilët cenojnë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe që prekin interesat e Amerikës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka mbajtur një konferencë për media, ku tha se çështja e sanksioneve nuk është temë që diskutohet aktualisht kur është në pyetje partneriteti në Ballkanin Perëndimor.

“Angazhimi ynë në rajon është i fuqishëm. Biseda për sanksione potenciale nuk është në rend të ditës. Secili vendim për këtë duhet të merret unanimisht nga të gjithë anëtarët e bllokut. Aktualisht kjo nuk po diskutohet kur është në pyetje me partnerët në Ballkanin Perëndimor.”

Ditën e djeshme presidenti i amerikan, Joe Biden, nxori Urdhër Ekzekutiv për të bllokuar pronat e të gjithë atyre që vlerësohen si pengesë për paqen në Ballkanin Perëndimor, e që në të njëjtën kohë prekin interesat e ShBA-së.

Kjo i shtohet masës së mëparshme për të ndaluar hyrjen në ShBA të personave që ky vend i konsideron “të rrezikshëm” ose “të korruptuar”.

Urdhri i Bidenit përfshinë shtetet e dala nga ish-Jugosllavia dhe Shqipërinë.

Të ngjashme