Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur takimin e radhës ku janë diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me aktualitetin politik dhe zhvillimet progresive partiake.
Në komunikatën e kësaj partie thuhet se gjatë takimit u diskutua për reformën zgjedhore që lidhet me zgjedhjet në nivel lokal dhe qendror në Kosovë, proces ky i iniciuar së fundi.
“Gjatë mbledhjes, u diskutua edhe për zgjedhjet në kuadër të Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të LDK-së. Me këtë rast, Kryesia përgëzoi forumet dhe degët për procesin, posaçërisht duke pas parasysh masivitetin e theksuar gjatë këtij procesi”, thuhet në komunikat.
Kryesia e LDK-së, gjithashtu miratoi kërkesën e Degës së LDK-së në Drenas, që LDK-ja të garojë e vetme në këto zgjedhje komunale dhe kandidat i LDK-së për zgjedhjet për kryetar të Drenasit të jetë Bedri Nika, njëkohësisht kryetar i Degës së LDK-së në Drenas.
Ndërsa diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast përgëzoi kryeministrin Isa Mustafa për reformat dhe qeverisjen e mirë e cila po jep rezultate evidente në të gjitha fushat e jetës.