Për vite të tëra Trepça ’89 ka pasur në përbërje emra më të njohur se që ka aktualisht në përbërje. Por gjërat në klubin mitrovicas ka kohë që nuk kanë shkuar më mirë se këtë edicion, shkruan sot Koha Ditore.
Mbarësia në klub ka bërë që Trepça ’89, për befasi të shumicës, pas javës së tetë të jetë lidere në klasifikimin e Vala Superligës së Kosovës në futboll. Nëse eventualisht “xehetarët” e ruajnë kreun edhe pas javës së nëntë, atëherë ngadalë mund të futen në mesin e konkurrentëve për të fituar titullin.
Në javën e nëntë, 89-shin e pret sfida më e madhe e deritashme. Ekipi mitrovicas është mysafir i Prishtinës, që ishte lidere deri në xhiron e tetë. Ndeshja luhet në Obiliq, të dielën (nesër, 14:00). Trepça ’89 prin në klasifikim me 21 pikë, ndërsa Prishtina është e dyta me 20 pikë. Derbi do të vendosë nëse liderja do të mbetet e njëjtë apo do të ndryshohet.