Begaj suspendohet me tetë vjet për doping

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Peshëngritësja nga Shqipëria, Romela Begaj, është suspenduar me tetë vjet nga Federata Botërore e Peshëngritjes për përdorim të përsëritur të dopingut, pasi nuk ka arritur të dëshmojë arsyet për gjetjen e substancës stanazololit në trupin e saj.

Lajmi është bërë i ditur nga mediumet në Tiranë të enjten dhe, sipas tyre, karriera e Begajt me këtë vendim tashmë mund të konsiderohet e mbyllur. Begaj kishte rezultuar pozitive në janar të vitit të shkuar pas analizave që iu bën në botërorin e vitit 2017, ku kishte fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 69 kilogramë, përcjell sot Koha Ditore.

Njëherësh, 33-vjeçarja ishte garuesja e vetme që doli pozitive në këtë botëror që u mbajt në Anaheim të Kalifornisë.

“Duke pasur parasysh se sportistja ka përsëritur pozitivitetin e saj ndaj dopingut, do të pezullohet me dënimin maksimal prej tetë vjetësh dhe njëherësh asaj do t’i largohen të gjitha rezultatet nga aktiviteti ku ka rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Për Begajn kjo është hera e dytë që ka dalë pozitive në të njëjtën substancë të ndaluar. Herën e parë, Begaj doli pozitive në vitin 2014 kur fitoi medaljen e artë në botërorin e mbajtur në Almaty të Kazakistanit dhe për këtë ishte suspenduar për dy vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme