Avokati i Popullit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit kanë organizuar tryezën me temën “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi kushtetuese”, gjatë të cilës vlerësuan se gjendja në Kosovë sa i përket ndotjes së mjedisit është mjaft serioze dhe dramatike, raporton Ekonomia Online.
Avokati i Popullit Hilmi Jashari, tha se asnjë nga institucionet relevante nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim deri tani në ndalimin e ndotjes së mjedisit dhe përmirësimin e tij.
Ai tha se raporti vjetor i Kuvendit përmban gabime dhe shkelje të legjislacionit.
“Kemi shqyrtuar raportin vjetor të Kuvendit dhe një kapitull i dedikohet mjedisit dhe vlerësimet janë shumë të rënda. Në çdo segment kemi gjet shkelje dhe kemi gjet gabime në zbatimin e legjislacionit. Kemi konsideruar se kjo tashmë mund t’i shërbejë Kuvendit në marrjen e këtyre shkeljeve. Gjatë diskutimit me komisionin parlamentar të gjitha institucionet nuk i diskutuan ligjshmëritë e tyre për mjedisin. Kuvendi përveç debatit nuk ka arritur të nxjerrë asnjë masë që do t’i ndëshkonte apo t’i mbante përgjegjëse këto instiucione. Prapë sot jemi në situatën pothuajse të njëjtë ku niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve mbetet në situatën krejtësisht të njëjtë”, tha Jashari, raporton Ekonomia Online.
Besnik Osmani nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se gjendja në Kosovë sa i përket mjedisit është e rëndë për çka ftoi institucionet që të bëjnë punën e tyre me një plan konkret.
“Njerëzit janë përqendruar në mjedis të ndotur 5 herë më shumë se vendet në rajon. Është përdorimi automjeteve jashtë standardeve dhe përdorimi qymyrit që ka ndikuar në ndotjen. Ne po shpenzojmë para për to, por jo për të gjetur shkaqet e tyre. Kemi dështuar t’i sjellim para drejtësisë ndotësit e ajrit siç kemi dështuar ne sjelljen e politikave që vet i kemi nxjerrë. Kemi dhënë 10 rekomandime në nivelin qendror dhe tri në nivelin lokal. Pas raportit tonë ka një afat ligjor që institucionet e prekura nga ky raport duhet të bëjnë zgjidhjen për këtë gjendje. E sot asnjë nga institucionet nuk ka marrë asnjë hap”, tha ai.
Këshilltarja politike nga Zyra e BE-së, Annete Fath Lihic, e quajti këtë situatë dramatike në Kosovë.
“Kemi dëshmi se Kosova është në fazë shumë dramatike kur është fjala te mbrojtja e ambientit. Ekzistojnë dëshmitë dhe varet nga individët të veprojnë. Situata në Kosovë është serioze dhe varet nga të gjithë edhe si individ. Raporti thotë se mbrojtja e ambientit ka nevojë për vullnet më të madh politik për t’i trajtuar sfidat. Meqë rekomandimet e raportit nuk janë miratuar, Kosova në vitet e ardhshme duhet të vendosë sistem të ujit dhe të ajrit dhe të marrë masa urgjente për të parandaluar ndotjen e ajrit dhe ujit”, tha ajo, raporton EO.