Behgjet Pacolli: Albin Kurti krijoi drama të panevojshme me dinarin serb, humbëse është veç Kosova

Prishtinë | 01 Mar 2024 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vlerëson se kryeministri Albin Kurti po krijon “drama të panevojshme” me dinarin për të shmangur obligimin që ka marrë në tetor për të dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Lidhja e vetme është krijimi i një krize dhe shmangia nga obligimi që Kryeministri Kurti ka marrë në tetor për të dërguar draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është lidhja e vetme që mund të bëhet me këtë çështje”, ka thënë Pacolli, për Front Online.

Të martën, çështja e dinarit ktheu në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë.

Por, për dallim nga herët e tjera takimi nuk ndodhi as në nivel të lartë e as në nivel kryenegociatorësh.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, derisa atë të Serbisë, kryenegociatori Petar Petkoviq.

Kjo, për shkak që zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit kryenegociator Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk ka pasur asnjë përparim në këtë takim.

Sipas tij, derisa Qeveria e Kosovës është deklaruar që çështja e dinarit nuk do të jetë pjesë e bisedimeve në dialog, atëherë s’është dashur të dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore në një takim me politikanë.

“Nuk ka pasur asnjë ecuri. Nëse merr qëndrimin se çështja e dinarit serb nuk do të diskutohet në dialog, siç ka thënë qeveria më parë, nuk dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës në një takim me politikanë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës dhe nga Serbia. Çka ka ndodhur është ajo që zakonisht ndodh në Kosovë: hidhet pluhuri në sytë e njerëzve duke thënë se nuk ka dialog për dinarin dhe dërgohet dikush që nuk njihet nga as 1000 vetë në Kosovë për të kuptuar se kush është guvernatori dhe cili është roli i tij. Pra, një proces dramash që nuk sjell asnjë përfitim për vendin”, është shprehur Pacolli.

Të ngjashme