Zëvendës Kryeministri i Parë i Kosovës në qeverinë e dikurshme të Hashim Thaçit, Behgjet Pacolli, kishte paguar një drekë nga kuleta e shtetit në hotelin e tij, ‘Swiss Diamond’.
Kjo faturë e datës 26 korrik 2012 ishte regjistruar si “drekë me delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë”.
Shteti ia kishte paguar drekën Pacollit në vlerë prej 662 euro e 30 cent.
8 file salmon në vlerë 88 euro, biftek 15 euro, 19 supa në vlerë prej 76 euro, ananas natyral në total 32 euro për 8 copa, 19 sallata në verë 152 euro, 11 gjoks pule në vlerë 165 euro, 8 akullore e shumë produkte tjera, që në total bëjnë 662 euro e 30 cent. Këto mjete i janë paguar hotelit të zëvendëskryeministrit nga paratë e taksapaguesve.
Swiss Diamond, bazuar në të dhënat e Publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit është në pronësi të “Mabetex Holding”. E Mabetex Holding, bazuar në të dhënat e ARBK-së është pronë e Behgjet Pacollit. Përveç Pacollit, pronësi në këtë ndërmarrje kanë edhe dy kompanitë të tjera: ‘Immobiliare RED’ dhe ‘Immobiliare BLU’.
Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, e mbante pozitën e njëjtë edhe në 2012. Këto të dhëna janë në faturat që BIRN i ka marrë pas 6 vitesh nga Zyra e Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.