Behrami kritikon takimet e përfaqësuesve të BE-së me gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ndaj takimeve ndërmjet përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve financuese me gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Behrami përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka ngritur dyshime për qëllimin e këtyre takimeve, duke pyetur pse ato zhvillohen para shpalljes së verdiktit të paralajmëruar për 16 shtator. Ai ka kritikuar atë që e cilëson mungesë të paanshmërisë dhe ka vënë në pikëpyetje respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë, përfshirë barazinë e palëve dhe barazinë e armëve.

Sipas tij, mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë, duke pyetur pse ajo nuk ftohet dhe pse nuk dëgjohet në këto procese. Në përfundim të reagimit të tij, Behrami e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka shprehur kritika të ashpra ndaj funksionimit të këtij mekanizmi gjyqësor.

Postimi tij i plotë:

Pse duhet të ketë takime ndërmjet përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së dhe atyre financuese me gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale?

Me marrë udhëzime për verdiktin e 16 shtatorit, a!

Çka është more ky monstrum juridik kështu.

Ku janë vlerat evropiane të paansisë, të barazisë së palëve, të barazisë së armëve, të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm?

Pse nuk ftohet edhe mbrojtja? Pse nuk dëgjohet mbrojtja?

Turp!

Të ngjashme