Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, më 26 maj të këtij viti u ka dërguar një letër ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ngritur shqetësime se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka abuzuar me pozitën e tij duke keqpërdorur resurset shtetërore për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve para zgjedhjeve.
Në letrën e tij, Behrami thekson se zgjedhjet e lira nuk mjaftojnë nëse ato nuk janë edhe të ndershme.
“Zgjedhjet e lira i lejojnë qytetarët të votojnë pa presion, por zgjedhjet e ndershme nënkuptojnë gjithashtu që askush të mos përdorë pushtetin publik për të fituar një avantazh të padrejtë. Jam i shqetësuar se qeveria aktuale në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe partia Vetëvendosje, mund të mos jetë duke e përmbushur këtë standard”, thuhet në letrën e Behramit.
Më tej, ai rendit një sërë vendimesh të marra nga Qeveria Kurti, të cilat, sipas tij, tejkalojnë kompetencat e një qeverie në detyrë dhe bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Korniza ligjore e Kosovës parasheh që një qeveri në detyrë të merret vetëm me çështje rutinore shtetërore deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve. Asaj nuk i lejohet të prezantojë politika të reja apo të shpenzojë shuma të mëdha të parave publike përtej operacioneve normale. Ky është një parim i zakonshëm në demokraci dhe normat e Kosovës e ndjekin po ashtu”, shkruan Behrami.
Sipas tij, një nga rastet më problematike është vendimi për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Behrami sqaron se nuk e kundërshton në parim mbështetjen financiare për qytetarët, por kohën dhe motivin e ndarjes së saj.
“Më 22 maj 2026, pak më shumë se dy javë para ditës së zgjedhjeve, qeveria në detyrë miratoi pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për secilin pensionist, fëmijë, punëtor të sektorit privat dhe student aktiv. Kjo u paraqit si masë kundër inflacionit. Punëtorët që fitojnë më shumë se 1,000 euro në muaj u përjashtuan, por paketa vazhdon të mbulojë një pjesë shumë të madhe të elektoratit. Kostoja totale e saj vlerësohet në rreth 200 milionë euro”, thuhet në letër.
Ai shton se, ndonëse këto mjete janë të rëndësishme për shumë qytetarë, koha dhe mënyra e zbatimit të vendimit ngrenë dyshime serioze për motive elektorale.
Sipas Behramit, qeveria ka pranuar se një version i mëhershëm i kësaj pakete ishte bllokuar në Kuvend, por më pas është zbatuar pa miratim parlamentar gjatë periudhës së qeverisë në detyrë.
“Një qeveri që vendos të shpenzojë rreth 200 milionë euro pa miratim parlamentar, pak para zgjedhjeve, po abuzon me pushtetin dhe po përdor fondet publike për qëllime politike”, vlerëson ai.
Në letër përmendet edhe vendimi për ndarjen e 2 milionë eurove shtesë për subvencionimin e linjave ajrore që u shërbejnë mërgimtarëve.
Behrami thekson se ky vendim është marrë më 26 maj 2026 dhe është paraqitur si pjesë e masës “Mbështetje për Diasporën” në kuadër të Paketës për Ringjallje Ekonomike.
“Koha e këtij vendimi është po ashtu shqetësuese, pasi diaspora tradicionalisht voton në numër të madh dhe Vetëvendosje gëzon mbështetje të konsiderueshme në mesin e saj”, thuhet në letër.
Duke iu referuar reagimeve të organizatave të shoqërisë civile, Behrami përmend se Demokracia në Veprim (DnV) e ka cilësuar vendimin për shtesat si keqpërdorim të burimeve administrative dhe shkelje ligjore, ndërsa Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se shpenzime të tilla para zgjedhjeve rrezikojnë integritetin e procesit zgjedhor.
Në fund të letrës, Behrami u bën thirrje ambasadorëve që të monitorojnë me vëmendje zhvillimet para zgjedhore dhe të inkurajojnë misionet ndërkombëtare të vëzhgimit që në raportet e tyre të përfshijnë edhe përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës.
Ai thekson se nuk po vë në dyshim procesin e votimit, por përdorimin e fondeve publike për të krijuar përparësi politike për partinë në pushtet.
“Shqetësimi im është se para zgjedhjeve burimet shtetërore janë përdorur për të krijuar simpati për partinë në pushtet. Kjo simpati është ndërtuar me para publike, të shpërndara tek grupe të mëdha votuesish dhe të kohëzuara që të arrijnë tek ata pak para ditës së votimit”, shkruan ai.
Behrami paralajmëron se edhe opozita do të ndjekë rrugët ligjore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar nëse vendimet e fundit të qeverisë janë në përputhje me kufizimet ligjore që vlejnë për një qeveri në detyrë.
“Vendimi se kush i fiton zgjedhjet i takon qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, partnerët demokratikë të vendit duhet të bëjnë të qartë se ndershmëria zgjedhore duhet të respektohet jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por gjatë gjithë periudhës para zgjedhore”, përfundon Behrami në letrën e tij.