Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve në diasporë që më 16 shtator të udhëtojnë drejt Hagës, për të qenë pranë krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi, Behrami ka kujtuar rrugëtimin gjashtëvjeçar të përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata kanë qenë të pranishëm në çdo seancë gjyqësore, si jashtë ashtu edhe brenda ndërtesës së gjykatës.
“E kemi bërë një rrugëtim të përbashkët. Për gjashtë vjet kemi qëndruar bashkë me krerët e UÇK-së. Jemi takuar në çdo seancë, jashtë ndërtesës, brenda në galeri. Kemi qenë aty në çdo moment”, ka shkruar Behrami.
Ai ka kërkuar nga diaspora që të marrë pushim nga puna për këtë ditë, duke e cilësuar 16 shtatorin si një ditë të veçantë dhe të papërsëritshme.
“Tani është koha të marrim pushim nga punëdhënësi. Sepse është një ditë që nuk përsëritet. Në ditën më të rëndësishme të jetës së tyre, në ditën më të rëndësishme për Kosovën e pavarur, duhet të jemi aty”, ka deklaruar ai.
Në fund, Behrami u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve, pavarësisht moshës, që së bashku me familjet e tyre të jenë në Hagë më 16 shtator.
“Diasporë, të mëdhenj e të vegjël, bashkë me familjet tuaja — më 16 shtator, të gjithë në Hagë! Të jemi bashkë, ashtu siç kemi qenë këto gjashtë vjet”, përfundon postimi i tij.