Nesër është afati i fundit kur Qeveria e Kosovës duhet të kthej përgjigje apo qëndrim rreth Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës – Trusti Pensional.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka filluar inicimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, përmes së cilave qytetarëve iu mundësohet tërheqja e mjeteve nga TRUST-i deri në 30 për qind.
Nesër bëhen një muaj prej kur Haxhiu e ka dorëzuar në Qeveri këtë kërkesë dhe akoma ekzekutivi nuk i ka kthyer përgjigj apo qëndrim rreth këtij projektligji.
“Pasi të kalon afati 30 ditor që Qeveria ka të drejtë me e dhanë mendimin e saj që do të duhej me e jep mendimin e saj, ajo i bie që deri nesër ka kohë, do me thënë edhe ditën e nesërme ka kohë dhe pasi të kalon afati 30 ditorë, atëherë projektligji hyn në procedurë parlamentare për miratim”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu për Demokracia.com, ka bërë të ditur se tashmë i ka më shumë se 60 vota përfshirë edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë kam biseduar pothuajse me të gjithë deputetët e Kuvendit edhe të opozitës edhe të mazhorancës. Ekziston një premtim prej tyre që kanë me e mbështet edhe po besoj që kemi me e kalua në Kuvend. Qeveria na e ka vonua 30 ditë, e ka shfrytëzuar maksimumin e ditëve të saj për me e dhanë mendimin, ka mundur me e dhanë mendimin qysh në javën e parë mirëpo s’e ka parë të nevojshme ose arsyet të cilat ata i dinë më mirë, mirëpo tani është e dita e 29-të që projektligji është në qeveri edhe qeveria nuk është marrë me të. Është kërkesë e qytetarëve në këtë kohë krize, prandaj po besoj shumë që është mese e domosdoshme që të procedoj sa më shpejt. Kur të vije në Kuvend do të kërkojë që me e kalua këtë projektligj me procedurë të përshpejtuar. Premtimet në bazë të diskutimeve me deputetët janë më shumë se 60 deputetë do të thotë se janë deklaruar pro tërheqjes për TRUST-in”, është shprehur Haxhiu.
Ai ka sqaruar se cilat janë procedurat pas këtij afati.
“Nëse nuk kthen qeveria përgjigje, ajo (iniciativa) pas 30 ditësh hyn në procedurë parlamentare për miratim. Kthehet në Kuvend, Kryesia e Kuvendit e procedon në komisionet përkatëse parlamentare dhe pastaj vije për votim në lexim të parë edhe në të dytë në seancë plenare. Me apo pa vendim të Qeverisë, Qeveria ka pas afat 30 ditë. Nëse nuk jep brenda 30 dite Qeveria përgjigjen ose mendimin e saj, projektligji automatikisht vjen në Kuvend”, ka sqaruar Haxhiu.
Theksojmë se çështja e tërheqjes së 30 përqindëshit nga TRUST-i ka sjell edhe përplasje mes pozitës dhe opozitës, por ka ngjallur reagime edhe në shoqërinë civile nëse është e mirë tërheqja e këtyre mjeteve apo jo.