Një ditë para finaleve të Kupës së Kosovës që do të zhvillohen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, ka bërë thirrje për anim korrekt, në mënyrë që të gjithë të pranishmit të shijojnë këtë ngjarje, që vlerësohet si një ndër më të rëndësishmet në basketbollin kosovar.
“Nesër zhvillohen finalet e Kupës së Kosovës në të dy konkurencat ndërmjet klubeve nga Peja dhe Prishtina. Nesër është festë e basketbollit dhe për këtë arsye i ftoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, e në veçanti ata nga Prishtina dhe Peja që të kujtojnë që kjo është një ndeshje basketbolli, sporti, andaj edhe të sillen të gjithë konform kësaj.
Qyteti i Mitrovicës tashmë e ka dëshmuar se mund të jetë nikoqir shembullor, dhe këtë e ka bërë më së miri në kualifikimet për Eurobasket 2017, ku palestra “Minatori” ka qenë “shtëpi” e Përfaqësueses A të Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës, klubet pjesëmarrëse, organizatori dhe organet e rendit janë duke bërë përpjekje maksimale që të gjithë të pranishmit të kalojnë një mbrëmje të bukur dhe të sigurt.
Dua t’i ftoj të gjithë për anim korrekt dhe përkrahje për ekipin tuaj. Çdo tentim për prishje të ndeshjes, imazhit të basketbollit dhe fuqizim e faktorizim personal nëpërmjet akteve vandale do të ndalohet menjëherë dhe aktorët do të ndëshkohen për një gjë të tillë”, ka thënë numri një i FBK-së, Erolld Belegu.
Duhet theksuar se të dielën me fillim nga ora 16:30 do të luhet finalja e femrave, ku do të takohen Penza – Penti Prishtina dhe finalja e meshkujve duke filluar nga ora 19:30, ku do të ballafaqohen Sigal Prishtina – Peja.
Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin 2015/16 janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Penza te femrat.