Tetë gola në dy fitore dëshmojnë se Belgjika është pretendente për të fituar Kupën e Botës, por seleksionuesi Roberto Martinez thotë se futja në klubin ekskluziv të kampionëve të botës nënkupton se duhet të fitosh edhe lojërat e mendjes pos ndeshjet në fushë.
Para se t’i jepte lojtarëve një ditë pushim për ta kaluar me familjet e tyre pas fitores 5:2 të shtunën në ndeshjen e Grupit G ndaj Tunizisë, spanjolli Martinez ka hedhur poshtë fjalët për epitetin e favoritit kryesor përkrah Gjermanisë e Brazilit dhe ka pranuar se lëshimet në koncentrim dhe gabimet në mbrojtje duhet të korrektohen kundër Anglisë të enjten, kur do të luhet për vendin e parë në grup, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Të dy këto përfaqësuese tashmë kanë siguruar fazën nokaut.
Vetëm pesë shtete kanë fituar Kupën e Botës që nga viti 1990.
“Për të qenë favorit për të fituar Kupën e Botës duhet të kesh njohurinë për fitim të Kupës së Botës, apo të kesh një referencë nga gjenerata e kaluar që e ka fituar Kupën e Botës në kohën moderne”, thotë Martinez.
Martinez 44-vjeçar, që ka kaluar karrierën e tij si lojtar duke luajtur në rangjet e ulëta në Angli, ka folur për dyshimin në vete që kishte frenuar Francën para se të fitonte Kupën e Botës në vitin 1998 apo Spanjën para triumfit në Evropianin 2008 dhe më pas në Botërorin 2010.