Ndodh shpesh herë që të ndihemi se po lagemi me pështymën që del nga goja gjatë gjumit dhe në mëngjes zgjohemi me jastëkun e lagur. Ky është një proces që ndodh në çdo moshë dhe shpesh mund të jetë i turpshëm dhe i bezdisshëm.
Jargët kryesisht janë pasojë e pështymës së tepërt, gjë që detyrimisht e shtyn personin në fjalë të gjejë një mënyrë për të nxjerrë jashtë pjesën e tepricës.
Por a e dini se në rastet kur ky “fenomen” ndodh rregullisht dhe intensivisht mund të jetë shenjë e një sëmundjeje që gjendet në zhvillim e sipër?
Po kështu, të lëshuarit jargë sinjalizon se diçka nuk po shkon me trupin tuaj.
Kur flemë, muskujt e fytyrës si dhe reflekset e gëlltitjes bien në qetësi, ndaj teksa pështyma akumulohet në gojë, muskujt e relaksuar të fytyrës çojnë në hapjen e ngadaltë të gojës.
Në këtë mënyrë, si pa kuptuar përfundojmë me një jastëk të njomë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, jargët e shumta ka raste që nënkuptojnë një bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, që mund të vijë si shkak i një infeksioni të sinusit apo mund të kemi të bëjmë me sëmundje neurologjike.
Gjithashtu jargët janë edhe pasojë e efekteve anësore të medikamenteve apo çrregullim i refleksit gastrointestinal, që sjell probleme serioze me ezofagun. Ky është rasti kur jargët shoqërohen edhe me vështirësi në gëlltitje.
Është gjithmonë një ide e mirë për ta paraqitur këtë çrregullim tek mjeku juaj, i cili do t’ju tregojë nëse është faktor krejtësisht i padëmshëm, siç u përmend më sipër, apo fsheh një problem shëndetësor.