Beqa për gjetjet e ZKA-së: Festivali i Këngës në RTK, u nënshkrua me çmim të ndryshuar nga tenderi dhe me 43 ditë vonesë

Prishtinë | 11 Qer 2024 | 13:33 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga radhët e opozitës kanë shprehur shqetësimet e tyre për raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së. Ndërsa Bordi i RTK-së, shqetësimet e tyre i patën për mungesë të të hyrave të kënaqshme nga marketingu, raporton Ekonomia Online.

Gjetjet e këtij raporti, i prezantoi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa. Ai përmendi disa kontrata që sipas tij ishin lidhur me çmim jo siç ishin njoftuar në dosje të tenderit.

Si shembull përmendi Festivalin e Këngës në RTK, në vlerë mbi 90 mijë euro, ndërsa në tender ishte çmim tjetër, si dhe ishte nënshkruar 42 ditë me vonesë.

“Çështjet që kanë ndikuar në konkluzion të kualifikuar janë si RTK kishte lidhur kontratë për ‘Shërbime teknike për festivalin e Këngës në RTK’ në vlere 90 mijë e 600 euro, me çmim jo siç kishte njoftuar në dosje të tenderit si dhe ishte nënshkruar 43 dite me vonesë pas njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues. RTK në tri procedura të prokurimit me vlerë së bashku prej 119 mijë e 376 euro, kishte përdorur shkurtimin e afateve kohore për pranimin e dosjeve të tenderit, të cilat ishin në kundërshtim me kërkesat e nenit 46 të Ligjit për Prokurim Publik”, tha Beqa.

“RTK kishte lidhur kontratë për furnizime me ‘Kamera PTZ dhe pajisje përcjellëse’ me vlerë 53,090 euro edhe pse OE nuk kishte ofruar dëshmi të qartë  ashtu siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit. RTK kishte dobësi në kontratën për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese me kompensim ne vlerë 55 mijë euro, duke ndryshuar kushtet dhe çmimin  e kontratës”, tha tutje Beqa.

Por kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka falënderuar ZKA për auditimin profesional korrektësinë, dhe tha se kjo ka ndihmuar në përmirësim e situatës në këto dy vitet e fundit.

Për një rekomandim që ka të bëj me një rekrutimin në RTK, Boletini, tha se e kanë zgjidhur si problem. Ai ka folur për fuqizimin e auditimin e brendshëm.

Boletini tha se ky auditim ka ndihmuar në përmirësim e situatës në këto dy vitet e fundit.

Ai bëri me dije se janë zbatuar të gjitha rekomandimet nga viti paraprak dhe me këtë është tregues për transparencë në mediumin publik. I pari i bordit, foli për rekomandimin e çështjes së pronës së RTK-së.

“Në çdo auditim ka me dalë ky rekomandim, dhe ne si RTK nuk kemi fuqi për me ndryshuar si proces”, theksoi ai.

Për të gjeturat e raportit të auditimit të ZKA-së, foli edhe drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj. Ahmetxhekaj tha se tani RTK ka rregullore të re për rekrutimin.

“Sa i përket kësaj çështje, nëse flasim për mungesën e një nënshkrimi, nëse dikush e dërgon me emër dhe mbiemër me e-mail nuk mendoj se është shkelje, do të ishte mirë që të mos ekziston fare, dhe nuk e konsideroj se është shkelje”, tha ai.

Mes tjerash deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, foli edhe për largimin e punëtorëve nga RTK-ja.

“Flitet  shpesh për largim të njerëzve, për presion. Dëgjoj kur gazetarët largohen prej RTK-së duhet me i pas kushtet më të mira se institucionet private, po kemi gazetar po bash kohen tonë qe kanë qenë kredibil dhe ne media tjera ose kanë qenë gazetar në vijë të parë të frontit siç është rasti i Milaim Zekës, thuhet që u largua prej kryetarit të Bordit (Besnik Boletini)”, tha Beqa.

Por këto pretendime, i mohoi vetë Boletini. Tha se marrë parasysh gjendjen në të cilën gjendet mediumi publik, kanë kërkuar më shumë llogari nga secili departament.

“Sa i përket gazetareve, nuk është e vërtetë, nuk është në kompetencën tonë. Ai (Milaim Zeka) ka deklaruar që shkoj kafe e nuk punoj. Tregu i lirë është, çështje tjetër njerëzit kalojnë qoftë kanë  oferta më të mira. Ne nuk jemi të kënaqur me performancen me marketing, prandaj kërkojmë të dhëna ku janë mangësitë, problemet nuk ka të bëjnë me departament të veçantë po ku konsiderojmë mangësi, qaty kërkojmë llogari. Kur ka rënie të mëdha prandaj jemi të shqetësuar dhe kërkojmë llogari nga secili departament”, tha Boletini.

Ndërsa për të hyrat nga marketingu, nënkryetarja e Bordit, Albulena Mehmeti, tha se është e domosdoshme që të hyrat e marketingut të shtohen.

“Mendojmë qe duhet të punojmë ta identifikojmë problemin dhe të ecim tutje me personat qe janë brenda këtij departamenti por është e domosdoshme që të hyrat e marketingut të shtohen. Tani për tani programet janë dhe përformanca e marketingut nuk është e kënaqshme nga bordi i RTK-së sepse shifrat janë në rënie çdo herë më shumë. Ne baza mujore dërgon raport të Bordi i RTK-së për të gjitha departamentin por ne kemi theks të veçantë të marketingut, përderisa shifrat janë në rënie”, u shpreh ajo.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, kërkoi të di nëse po hetohen nga Prokuroria për ndonjë keqpërdorim, por këto i mohoi drejtori Ahmetxhekaj.

“Jo nuk jemi në hetime, nuk jemi ftuar për keqpërdorim. Nëse kish pas keqpërdorim ish bërë edhe publike”, tha Ahmetxhekaj.

Ndërsa anëtarja tjetër e RTK-së, Fatime Lumi-Qehaja, tha se krahas rritjes së cilësisë së programit, është dashur të rriten edhe të hyrat nga marketingu.

“Ne programin e bëjmë në përputhje me Ligjin për RTK-së dhe standardet profesionale të gazetarisë. Marketingu ndikon se sa i përket programit, në momentin që ngritët cilësia e programit, atëherë rritet kërkesa për palët e jashtme. Për derisa është rritur cilësia e programit, pse nuk ka ngritje te hyra të marketingut, pra kjo është çështja e diskutimit”, tha ajo.

Të ngjashme