Ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar kompaninë “Vision Agency”. Beqaj tha se fusha e digjitalizimit në Kosovë është e rëndësisë së veçantë dhe se rruga për të rregulluar bilancin tregtar në Kosovë është përmes eksportit të shërbimeve, raporton Ekonomia Online.
“Sa herë që vizitojmë kompani marrim inspirime të reja. Besoj që ky është një grup i të rinjve dhe kanë një vizion të qartë. Vizioni është shfrytëzimi i ekonomisë digjitale dhe mundësive që jep ekonomia digjitale për të krijuar profite. Në këtë drejtim agjencia dhe planet e tyre janë shumë ambicioze, normalisht që kërkesat janë përkrahja institucionale dhe hapjen e rrugës për me i zhvillu produktet e tyre”, tha Beqaj.
“Rruga më e rëndësishme për të përmirësua bilancin tregtar të Kosovës ka me qenë shërbimi i eksportit dhe eksporti i shërbimeve të njerëzve të rinj dhe të reja që me të vërtetë kanë ide dhe të cilat po e përsëris nëse nuk mundemi me i ndihmua, ne nuk duhet me i pengu”, shtoi kreu i MIN-it.
Drejtori i “Vision Agency”, Mendim Mustafa, falënderoi ministrin për vizitën dhe tha se përkrahja e institucioneve sidomos e ministrisë së inovacionit është e rëndësishme për të iu krijuar hapësirë për zhvillimin e ideve të tyre e sidomos të atyre në digjitalizimin e shërbimeve.
“Vision Agency”merret me krijimin e websiteve të reja dhe mirëmbajtjen e tyre e deri tek ruajtja e të dhënave.