Ministri i Financave Besim Beqaj ka vlerësuar sot lartë kontributin që bizneset e vendit i japin zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Duke folur në takimin me përfaqësuesit e bizneseve tatimpagues më të mëdhenj të vendit të organizuar nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe në të cilin ka marr pjesë edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë që biznesi privat ka në sigurimin e të ardhurave për buxhetin e Kosovës dhe se gjatë viteve të kaluara, sektori privat ka dhënë një kontribut të madh në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.
“Siç e dini, në një ekonomi të tregut, roli i Qeverisë është i kufizuar në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve specifike me interes publik, ndërsa është sektori privat ai që bart barrën e rritjes ekonomike dhe punësimit. Kjo nuk dallon aspak kur flasim për vendin tonë. Gjatë viteve të kaluara, Qeveria ka vazhduar me punën e vet, duke u fokusuar në reformat ekonomike e fiskale dhe në investimet në infrastrukturë, me synimin që të krijojmë një ambient sa më të mirë për bizneset ekzistuese si dhe për investitorët potencial”, tha ministri Beqaj.
I pari i Ministrisë së Financave përmendi se si rrjedhojë e këtyre reformave, Kosova ka qenë një ndër top-reformatorët në botë dhe tani, sipas raportit të Bankës Botërore për bërjen e biznesit, Kosova qëndron edhe më mirë se disa nga vendet regjionale për sa i përket ambientit të të bërit biznes.
“ Këtu më lejoni të them se një kontribut të çmuar për sa i përket reformave ekonomike e fiskale kanë dhënë edhe partnerët tanë zhvillimor, me theks të veçantë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes asistencës së tyre me projektet e USAID-it”, tha ministri Beqaj.
Ministri Beqaj tha se gjatë viteve të kaluara, si Dogana, ashtu edhe ATK-ja kanë pasur rritje të vazhdueshme të të hyrave dhe kjo është një sinjal i ecurive pozitive në sektorin privat.
“ Përderisa të hyrat buxhetore janë shumë të rëndësishme, ngase ato i mundësojnë Qeverisë të financoj prioritetet e saja, ne në të njëjtën kohë do të jemi të gatshëm për të shqyrtuar çdo ndryshim të mundshëm, që do të ishte në dobi të rritjes dhe zhvillimit të sektorit privat. Këtu do të përmendja vendimin nga viti i kaluar të Qeverisë për të liruar nga TVSH-ja prodhuesit e të gjitha produkteve primare bujqësore”.
Një pjesë të fjalës së vet ministri Beqaj ia kushtoi angazhimit konkret të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave në lufte kundër ekonomisë joformale.
“ Fenomeni i ekonomisë jo-formale është i dëmshëm për të gjithë: ajo ka efekte negative për vet bizneset, të punësuarit dhe Qeverinë. Prandaj është e rëndësishme që ne si institucione të bëjmë më të mirën për të luftuar këtë dukuri dhe rrjedhimisht, për të ofruar një ambient më të pranueshëm për të bërë biznes. Në këtë drejtim Ministria e Financave së bashku me të gjitha agjencitë e veta relevante si dhe institucionet tjera të Qeverisë, në mënyrë shumë aktive jemi duke u marr me trajtimin e kësaj problematike”, tha ministri Beqaj, dhe shtoi se para pak ditësh, Qeveria miratoi Strategjinë/Planin e Veprimit për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, pastrimit të parave dhe financimin e krimeve ekonomike, në hartimin e të cilit ishin të involvuara të gjitha palët me rëndësi, ndërsa bartës i procesit ka qenë Ministria e Financave.
Ministri Beqaj gjithashtu theksoi se me qëllim të rritjes së kualitetit të shërbimeve dhe të qenurit sa më afër tatimpaguesve, ATK-ja dhe Dogana janë duke bërë reforma dhe riorganizime të brendshme substanciale.
“ Kemi rritur në masë të madhe komunikimin midis Doganave dhe ATK-së, dhe tani këto dy institucione, në çdo moment i kanë informatat e nevojshme nga njëra-tjetra, që do ju shërbej më mirë në punën e tyre të përditshme, ndërsa sot do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis ATK-së dhe Doganave përmes së cilës do të mundësohet një bashkërendim dhe integrim i aktiviteteve të njësisë së Hetimeve Tatimore e cila aktualisht funksion në kuadër të ATK-së dhe Sektorit të Hetuesisë që funksionon brenda Doganave”.
Me qëllim të bashkëpunimit sa më të suksesshëm në mes të Doganës, ATK-së dhe përfaqësuesve të biznesit është themeluar Këshilli Konsultativi cili ka për synim të shtojë komunikimin mes dy agjencive tatim mbledhëse dhe tatim paguesve, respektivisht bizneseve, dhe rrjedhimisht, të mundësoj adresimin sa më të shpejtë dhe efektiv të të gjitha brengave që mund të ketë njëra apo pala tjetër, tha ministri Beqaj.
Ministri i Financave tha se të gjitha këto të arritura, nuk do të ishte e mundur t’i realizojmë pa përkrahjen e donatorëve dhe miqve tanë, duke përfshirë Qeverinë Amerikane përmes USAID-it, Komisionit Evropian dhe donatorëve tjerë.
“ Unë zotohem se ashtu si edhe deri më tani, ju do të keni mbështetjen time, të Ministrisë së Financave, ATK-së dhe Doganave në mënyrë që ne të jemi në funksion të rritjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit privat”, përfundoi ministri Beqaj.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson nga ana e saj në këtë takim ofroi përkrahjen për Ministrinë e Financave, Doganën, Administratën Tatimore dhe bizneset.
Në takim drejtori i përgjithshëm i Doganës, Lulzim Rafuna dhe drejtori i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit përmes së cilës do të mundësohet një bashkërendim dhe integrim i aktiviteteve të njësisë së Hetimeve Tatimore e cila aktualisht funksion në kuadër të ATK-së dhe Sektorit të Hetuesisë që funksionon brenda Doganave”.