Ministri i Inovacionit të Kosovës, Besim Beqaj në një intervistë për Ora News tha se ka vullnet politik për bashkimin doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, por ky proces kërkon ende shumë angazhim.
Sipas Beqajt, ajo që është e rëndësishme është se mes dy vendeve ka bashkëpunim në nivel doganor, por duhet një harmonizim i politikave ekonomike në përputhje edhe me politikat e BE.
Ai renditi disa faktorë që çojnë dy vendet drejt bashkimit doganor.
Besim Beqaj: Bashkimi doganor në nivel europian njihet kur shkrihen procedurat e dy shteteve administrative në një sistem të vetëm doganor. Kjo kërkon goxha angazhim, kërkon harmonizim ligjor. Ka vullnet politik për një veprim të tillë. Duhet të analizohet në detaje efekti ekonomik i bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që me veprime të tilla mos pengohet biznesi, por vullneti politik ekziston për ta trajtuar si çështje dhe pas analizave të detajuara, që duhet të bëhen me biznesin duhet të merren hapat e tjerë. Ajo që është e rëndësishme është se kemi bashkëpunim në nivel të doganave. Kosova ka avancuar shumë në harmonizimin e saj me rregullat e vendeve të tjera, Shqipëria ka pika të përbashkëta me vendet e tjera. Pse jo, të fillohet me kontrolle të përbashkëta dhe më pas të vazhdohet me veprime të tjera. Këto kanë filluar në një farë konteksti, por që realisht harmonizimi i politikave ekonomike kërkon angazhim shumë më substancial sesa veprimet politike momentale. Pra, duhet të ketë një pëlqim për efektet ekonomike në mes të dy shteteve, duhet të analizohet interesi ekonomik i dy bizneseve të vendeve tona, pastaj duhet të analizohet e gjithë paketa e legjislacionit që duhet të ndryshohet dhe duhet të jemi në harmoni edhe me vendet dhe politikat e BE sepse të gjithë aspirojmë drejt BE.
Ministri tha se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivele të mira, por ajo që duhet bërë për të përmirësuar akoma më shumë bilancin është heqja e barrierave administrative dhe burokracive.
Besim Beqaj: Qeveritë nuk mund të marrin hapa ekonomik, në kuptimin e prezencës së produkteve. Qeveritë duhet të heqin të gjitha barrierat administrative, burokracinë që janë elementë jashtëzakonisht pengues në këmbimet tregtare. Ajo që unë besoj është që produktet tona të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të prezantohen para publikut, të prezantohen produkte cilësore. Promovimi i produkteve kombëtar do të ishte një nga synimet që duhet ta bëjnë edhe qeveritë, por edhe bizneset. Ky prezantim i produkteve, krahasimi i produkteve të vendit me ato që vijnë nga importi duhet të bëhet reale. Pra duhet të investojmë më shumë në heqjen e barrierave dhe rritjen e cilësisë, në rritjen e aktivitetit të marketingut.
Beqaj tha gjithashtu se dy vendet duhet të synojnë tregjet e mëdha, por sipas tij kjo bëhet vetëm bashkarisht dhe jo të fragmentarizuar.
Besim Beqaj: Qeveritë duhet të krijojnë parakushte për këmbim tregtar. Qeveritë nuk tregtojnë, ekonomitë, tregtojnë sektori privat dhe në këtë drejtim ne duhet të favorizojmë në kushte të barabarta produktet e njëri-tjetrit. Në mënyrë që prezenca dhe vazhdimësia ekonomike të mos jetë as e jona ekskluzivisht nga Serbia apo Maqedonia apo Kroacia, as e Shqipërisë nga Greqia dhe Italia, por që realisht të synojmë edhe tregjet e treta. Tregjet e treta mund t’i synojmë bashkarisht jo në mënyrë të fragmentuar, sepse fuqia jonë konkurruese nuk është e nivelit të tillë për të konkurruar me tregjet e mëdhaja. Në këtë drejtim ka nevojë për të harmonizuar politikat, produktet, synime të përbashkëta të sektorit privat dhe ti qasemi bashkarisht. Është lehtë ndonjëherë për tu thënë, sepse kërkon goxha angazhim që një proces i tillë të arrihet, por besoj që ka disponim te të dyja anët dhe ka një gatishmëri të biznesit për tu marrë në mënyrë më aktive me prezencën ekonomike me vendet e njëri-tjetrit.