Ministri i Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Besim Beqaj, gjatë vizitës që i bëri akademisë “jCoders”, ka kërkuar që të bëhen reforma rrënjësore në arsim në mënyrë që fëmijëve t’iu mundësohet aftësim adekuat në teknologji, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se shkollat e Kosovës nuk ofrojnë mundësi përmes të cilave fëmijët mund të shprehin idetë e tyre, dhe sipas tij, sistemi i edukimit në shkolla duhet të pësojë reforma rrënjësore.
“Si rrallë vende të botës kemi shumë rini dhe të cilët janë të trajnueshëm, të mençur, janë para shumë sfidave me të cilat ballafaqohen sepse kemi një sistem kur ende ballafaqohen në shkolla me programe që nuk janë kompatibile me atë çka duhet, dhe kjo na dërgon një mesazh edhe për sistemin e edukimit, që sistemi i edukimit në shkolla duhet të pësojë reformë rrënjësore për të shkuar drejt asaj”.
“Në të ardhmen të kemi lëndën e kodimit, pse jo të kemi edhe lëndë të ndërmarrësisë nëpër shkolla që fëmijët të mësojnë për të jetuar e jo vetëm për të mësuar atë çka e ka një program apo çka e din një arsimtar apo një shkollë”.
Beqaj ka theksuar se akademia “jCoders ju ka ofruar fëmijëve të mësojnë edhe modele të tjera shkollimi e jo vetëm atë klasik, raporton EO.
“Ishte kënaqësi të vij edhe të shoh një entuziazëm, një gatishmëri të fëmijëve të moshave të reja që janë e ardhmja e shtetit tonë, fëmijët të cilët nuk mësojnë më vetëm sistemin klasik të cilin ne e kemi nëpër shkolla, mirëpo edhe jashtë atyre kornizave”.
“jCoders është duke ju ofruar një program të avancuar dhe vetë fakti i projekteve që kanë fituar, çmime në nivele të garave ndërkombëtare tregon një përkushtim dhe seriozitet të kësaj shkolle. E ardhmja ekonomike dhe e ardhmja e vendit janë rinia, rinia e cila din mirë sistemin dhe gjuhën e kodimit por edhe rinia e cila teknologjinë e fut në sistem ekonomik. Kjo është synimi i shkollës”.
Akademia “jCoders” ofron plan programe për mësimin e gjuhëve programuese, robotikës dhe krijimit të aplikacioneve mobile, kështu u shpreh themeluesja e “jCoders”, Ana Shehu.
Shehu theksoi se qëllimi i akademisë është nxitja e të rinjve për të punuar në fushën e teknologjisë.
“Në akademinë jCoders qëllimi jonë kryesor është me i nxit të rinjtë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, me qëllimin me i nxit gjeneratat e reja me punuar ma shumë në krijimin e zgjidhjeve praktike në fushën e teknologjisë. Në jCoders i ofrojmë plan program i cili i përkrah mësimin e gjuhëve programuese, robotikës dhe krijimin e aplikacioneve mobile, me ç’rast fëmijët shprehin kreativitetin tyre dhe mbërrijnë ta kuptojnë teknologjinë si një vegël”.
“jCoders” është akademia kosovare e cila është themeluar në nëntor të vitit 2015, ku për qëllim ka ekspozimin e të rinjve ndaj teknologjisë informative dhe krijimit të teknologjisë.
Akademia “jCoders” është funksionale në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Tiranë.