Shkëmbimi apo korrigjimi i kufijve, e cila si ide është thënë nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka vënë në pikëpyetje edhe ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për analistin politik, Belul Beqaj, Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e shtetit. Në një prononcim për Ekonomia Online, Beqaj pohon se akti më i lartë juridik duhet të ndryshojë nëse ndodhë lëvizja e kufijve, por sipas tij, ajo duhet të ketë ndryshime sepse nuk është në frymën demokratike.
“Ndryshimi i Kushtetutës e dëmton Kosovën nëse bëhet për arsye të cilat janë të dëmshme për shtetin e Kosovës, por nëse bëhet për arsye të cilat e afirmojnë shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën si akt bazik kjo nuk do duhej të kuptohej si është një aspekt negativ i ndryshimit të kushtetutës, por gjithsesi Kushtetuta edhe pa pas nevojë të inteferimit të çështjes së ndryshimit territorial duhet të ndryshoj sepse nuk është rregulluar raporti i shumicës dhe pakicës në frymën demokratike”, tha Beqaj.
Duke e parë dinamikën e ngjarjeve në vend, Beqaj nuk e sheh të largët ndryshimin e Kushtutës së vendit. Ai ka shtuar se Kushtetuta ka shërbyer për krijimin e një sistemi ligjor, i cili e ka afirmuar vendin si i pavarur.
“…Së dyti ka shërbyer si një bazë e jashtëzakonshme për krijimin e një sistemi ligjor i cili e ka afirmuar shtetin e pavarur të Kosovës aq sa ka pas mundësi, së treti kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të ndryshohet nëse krijohen rrethana të reja veçmas në raport me pakicat dhe raport me dialogun gjithëpërfshirës juridikisht obligative nëse arrihet ndonjë marrëveshje që nënkupton ndryshimin e strukturës të përmbajtjes territoriale të shtetit të Kosovës, por gjithsesi kjo e fundit nuk duhet me qenë shkak thelbësor për ndryshimin e kushtetutës por ndryshimin kualitativ të qeverisjes brenda dhe veçmas në raport me pakicat të cilat në kushtetutën aktuale kanë një efekt jashtëzakonisht më të madh se që është fuqia e tyre elektorale”, tha Beqaj.
Profesori universitar ka thënë se Kushtetuta e tanishme ka diskriminim pozitiv e cila po keqpërdoret në dëm të shumicës të cilës po i bëhet pengesë.
“Ka diskriminim pozitiv, por diskriminimi pozitiv po keqpërdoret në dëm të shumicës, në anën tjetër edhe duhet të kuptojmë se është një realitet i ri dhe disa gjëra që kanë qenë të trashëguar nga projekti i Martti Ahtisaari duhet të shkoj në histori dhe në anën tjetër duhet të krijohet një rrugë e re për afirmimin më të konsoliduar dhe funksional të shtetit të Kosovës ku ky raport i pakicave, shumicës po i bëhet si pengesë e madhe”, shtoi Beqaj për Ekonomia Online.
Këtë vit, Kosova shënon 11-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.