24 marsi konsiderohet ditë më e veçantë për qytetarët e Kosovës dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën gërshetohen dy ngjarje të rëndësishme historike, Epopeja e Dukagjinit dhe sulmi i forcave aleate të NATO-s mbi caqet e forcave serbe të Millosheviqit.
Këtë ditë të veçantë e përshkruan edhe njëri nga protagonistët e luftës së UÇK-së, ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, Rrustem Berisha, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se kjo ditë është e veçantë, pasi në njërën anë i dha jehonë dhe zemër UÇK-së me betejën heroike të vëllezërve dhe familjes Haradinaj në Gllogjan me 24 mars 1998, dhe një vit me vonë ndezi shkëndijat e lirisë, kur NATO me 24 mars 1999, filloi fushatën e bombardimeve mbi forcave serbe në gjithë Serbinë.
“Është 18 vjetor i sulmeve dhe 19 vjetori i Epopesë së Dukagjinit dhe është një ditë e rëndësishme e historisë së UÇK-së dhe e Kosovës dhe historinë e NATO-s. Ishte një intervenim humanitar ushtarak dhe është një ngjarje që në historikun 50 vjeçar të NATO-s nuk ka ndodhur”, deklaroi Berisha.
Ish-eprori i UÇK-së kujton ditën kur forcat e NATO-s filluan bombardimet. Ai tha se lajmin e kishte marrë nga TVSH, ndërsa thonë se ishte moment i papërshkruar i ndjenjës, për faktin se liria ishte afër. Në këtë periudhë, ai thotë se UÇK ishte duke i bërë përgatitjet e fundit për ta thyer kufirin shqiptaro-shqiptar, dhe goditja nga ajri ishte ndihmesë e madhe për forcat e UÇK-në në terren.
“…nuk e prinim se do të këtë sulme të drejtpërdrejta sepse zhvillohej beteje diplomatike. Në mendonim se Millosheviqi do të tërhiqej dhe sulmet do të evitoheshin me ndihmën aleatëve të Serbisë në Këshillin e Sigurimit. Por, kjo nuk ndodhi dhe erdhën sulmet e NATO-s. Qëllimi i intervenimit ishte që të parandalohet, dhuna gjenocidi, spastrimi etnik. Dhe është ditë tepër e veçantë për ne”, tha Berisha.
Ai ishte optimist se bombardimet nuk do të zgjatnin 78 ditë, por thotë se gjithë kjo ka ndodhur “pasi Millosheviqi shpresonte akoma në mbështetjen e aleatëve strategjik”.
Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, tani deputet i Kuvendit të Kosovës është optimist edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës, edhe pse formimin e strukturave mbrojtëse të vendit e sheh si proces të vonuar.
“Patjetër që Kosova duhet ta bëjë ushtrinë. Nuk kemi kohë që të humbim sepse kjo është obligim institucional që ta formojnë Ushtrinë e Kosovës, t’i forcojmë institucionet e sigurisë… ne kemi të drejtën dhe obligimin kushtetues që ta mbrojmë qytetarin dhe integritetin dhe sovranitetin e vendit”, deklaroi Berisha.
Ai tha se formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është kërcënim për rajonin, sepse Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti fqinj, e kjo siç tha Berisha, duhet të vlej si parim edhe për vendet tjera rajonale.
Ish-komandanti i Brigadës 138 thotë se Kosova nuk mundet në pafundësi t’i pres deputetë serbë për ndryshime kushtetuese, por duhet FSK-në ta forcojë nëpërmjet ligjeve. “Ka edhe ushtri moderne në botë që s’kanë emrin ushtri, njëjtë është me Izraelin”, deklaroi Berisha. (RTK)