Berisha dhe Rama në Panairin e 5-të të industrisë së armëve në Kroaci

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Damir Krsticeviq, po marrin pjesë në Panairin e 5-të të industrisë së armëve ,,ASDA 2019’’, në Republikën e Kroacisë.

Në Split, krerët e FSK-së morën pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit si dhe vizituan disa prej kompanive më të njohura të pajisjeve ushtarake, ku panë nga afër kapacitetet dhe të arriturat më të fundit të teknologjisë ushtarake kroate.

Ministri Berisha dhe komandanti Rama gjithashtu zhvilluan edhe disa takime dypalëshe me ministra dhe shefa të Mbrojtjes, pjesëmarrës në panair, me të cilët biseduan për procesin e tranzicionit të FSK-së, si dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen.

Ekspozita Ndërkombëtare e Armatimeve dhe Pajisjeve Ushtarake (10-12 prill 2019) mbahet për herë të pestë në Split nën patronatin e Qeverisë së Kroacisë, organizuar nga ,,TNT Production Inc.’’, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë. 


Të ngjashme