Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka raportuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa lidhur me raportin tremujor të të hyrave në Doganë.
Berisha ka theksuar se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, Dogana ka realizuar 98.6 për qind planin e të hyrave duke mbledhur 211.5 milionë euro, ose 3.4 për qind më shumë se sa në periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, raporton Ekonomia Online.
Të hyrat e planifikuara në Doganën e Kosovës për vitin 2017 janë 1 miliard e 108 milionë euro, apo 57 milionë më shumë se të hyrat e vitit të kaluar që ishin 1 miliard e 51 milionë e 500 mijë euro.
Zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim gjatë kësaj periudhe, sipas tij, i ka kushtuar Doganës së Kosovës me 40 për qind më pak të hyra nga taksa doganore.
Anëtarja e komisionit Safete Hadërgjonaj kërkoi të dijë nga drejtori lidhur me radhët e gjata në pikat doganore me Shqipërinë.
“Ne i kemi dhënë prioritet marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë dhe shpeshherë ato pika doganore nuk funksionojnë si duhet, a keni marrë ndonjë masë dhe a e keni si pjesë të planit tuaj thjeshtësimin e procedurave doganore atje”,tha ajo.
Ndërsa Besa Gaxherri tha se është e kënaqur që vlera e importeve ka shënuar rënie, por edhe përkundër kësaj janë shënuar rritje e të hyrave.
“Unë mendoj që puna jonë duhet të jetë që të kemi importe sa më pak”, tha ajo.
Ndërsa anëtarja e komisionit, Labinotë Murtezi kërkoi të dijë nga drejtori se kush merret me cilësinë e mallrave ushqimore që importohen në Kosovë.