Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, në Klinë ka deklaruar se FSK është e gatshme që të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës.
“FSK është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kemi shumë të arritura dhe presim shumë shpejt që të kalojmë në fazën tjetër, në Forca të Armatosura të Kosovës. Kemi bashkëpunim të mirë me ndërkombëtarët dhe qysh tash jemi të gatshëm të kalojmë në fazën vijuese të transformimit”, ka thënë ministri Berisha, gjatë takimit me kryetarin e komunës së Klinës, Zenun Elezaj.
Ministri i FSK-së, i shoqëruar edhe nga gjenerali Nazmi Brahimaj, gjatë këtij takimi, siç njofton zyra për informim e kësaj komune, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Klinën në ndonjë projekt, duke u bazuar në kapacitetet që ka FSK-ja. E nevojë primare kjo komunë, siç u shpreh kreu i komunës, Zenun Elezaj është sigurimi i ujit të pijshëm në zonat urbane dhe rurale, si dhe trajtimi i ujërave të zeza.
“Për ujë të pijshëm jemi duke shqyrtuar edhe alternativa tjera, ndërsa për trajtimin e ujërave të zeza do të bëjmë studimin e fizibilitetit”, ka thënë Elezaj.